Lilana Shubariq dhe Katarina Ristiq janë dy gratë e vetme që do të udhëheqin Graçanicën, përkatësisht Ranillugun për katër vjetët e ardhshëm.
Shubariq dhe Ristiq, që vijnë nga partia politike Lista Serbe, janë zgjedhur kryetare në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që është mbajtur më 17 tetor.
Në rundin e dytë të 14 nëntorit, Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, ka humbur përballë kundërkandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
Në garë për zgjedhjet lokale kanë qenë gjithsej 14 gra dhe 152 burra.
Sipas Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, partitë politike nuk e kanë prioritet barazinë gjinore.
“Edhe kësaj here u dëshmua se barazia gjinore nuk shihet si vlerë në nivelin lokal. Për këtë gjë fajin 100 për qind e kanë partitë politike dhe askush tjetër, pasi nuk kanë kandiduar numër të barabartë të grave dhe burrave”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.
Përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga subjektet politike që të zbatojnë Ligjin për barazi gjinore. Ky ligj parasheh përfaqësim: 50 për qind burra dhe 50 për qind gra.
Gresa Sermaxhaj, nga ky rrjet, thotë se përveç moszbatimit të këtij ligji, gratë i pengojnë edhe barriera të tjera.
“Nuk kanë hapësirë të barabartë sikurse burrat brenda partive, organeve partiake dhe, e dyta, nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për të bërë fushatë, për të paraqitur programin dhe për të arritur te votuesit”, thotë Sermaxhaj.
Zyrtarë të partive politike në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dallime në ndarjet buxhetore mes burrave dhe grave që marrin pjesë në procese zgjedhore.
Rrjeti i Grave të Kosovës, para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ka angazhuar dhjetëra vullnetarë në njëzet komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët, për pesë ditë me radhë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për sa më shumë gra, të cilat kanë qenë në listat për asamble komunale.
Pak gra edhe në kuvendet komunale
Por, Sermaxhaj thotë se është e pakënaqur edhe me përfshirjen e grave në listat për asamble komunale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ka certifikuar 5,198 kandidatë për kuvende komunale – prej tyre, 3,261 kanë qenë bura, kurse 1,937 kanë qenë gra.
Numri i ulëseve në 38 kuvendet komunale është 1,002. Nga ky numër, 358 janë zgjedhur gra.
Ligjërisht, partitë politike janë të obliguara që të kenë së paku 30 për qind gra në lista zgjedhore. Pothuajse secila parti e zbaton me përpikëri këtë kërkesë.
“Pjesa dërrmuese e partive politike po mbesin te 30-përqindëshi për futjen e grave në listat zgjedhore, assesi nuk po arrijnë të kalojnë mbi të. Ky fakt është për keqardhje, sidomos nëse merret parasysh Ligji për barazi gjinore”, thotë Sermaxhaj.
Sipas Demollit, përfaqësimi i grave në listat zgjedhore përdoret në raste të caktuara si “strategji për të tërhequr votën e grave”.
“Partitë politike nuk duhet të jenë patriarkale, duhet të punojnë më shumë, të sjellin gra meritore, nuk është që gratë nuk kanë kapacitete për t’u kyçur në politikë, por duhet të jetë një terren më i ndershëm dhe më i mirë për to, sepse gratë janë të emancipuara. Edhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje vazhdimisht është e kënaqur, por partitë politike nuk i mbështesin gratë edhe në ato pozita ku i vendosin”, thotë Demolli.
Gratë në nivelin qendror
Luljeta Demolli dhe Gresa Sermaxhaj pohojnë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt 2021, kanë sjellë ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse, por, sipas tyre, kjo shpresë është zbehur në nivel lokal.
Pas zgjedhjeve parlamentare, përfaqësimi i grave është rritur për pesë ulëse në Kuvendin e Kosovës, në krahasim më zgjedhjet e vitit 2019. Nga gjithsej 120 ulëse në Kuvend, në legjislaturën aktuale janë 44 gra. Vetëm 11 prej tyre kanë pasur nevojë për kuotë gjinore, për të siguruar ulësen parlamentare.
Ndërkaq, nga 15 ministri në Qeverinë e Kosovës, pesë udhëhiqen nga gratë. Në Qeverinë paraprake, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga gjithsej 16 ministri, tri janë udhëhequr nga gratë.
Po ashtu pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Kosova ka zgjedhur një grua në krye të shtetit. Vjosa Osmani-Sadriu është presidentja e dytë grua e Kosovës. Këtë pozitë, në vitet 2011-2016, e ka mbajtur Atifete Jahjaga.
Përfaqësimi i grave në rajon
Gjendje pak më e mirë e përfaqësimit të grave në pushtetin lokal ekziston në disa shtete fqinje të Kosovës.
Nga 61 bashki sa ka Shqipëria, tetë prej tyre udhëhiqen nga gratë.
Në Serbi janë 169 pushtete lokale dhe 22 prej tyre udhëhiqen nga gratë.
Nga 34 komuna sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, pozitën e kryetares e mbajnë vetëm dy gra. Për herë të parë sivjet, udhëheqjen e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit, e ka fituar një grua.
Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2020 në Bosnje dhe Hercegovinë, nga 142 komuna, tri i kanë fituar gratë, ndërsa në Mal të Zi gratë udhëheqin dy komuna nga gjithsej 24.