Ndërlidhjet

Tusk kërkon votëbesim në parlamentin polak më 11 qershor


Kryeministri polak, Donald Tusk.
Kryeministri polak, Donald Tusk.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë të martën se do të kërkojë votëbesim në parlament më 11 qershor, pas humbjes së Rafal Trzaskowskit në zgjedhjet presidenciale të fundjavës.

Tusk e ka bërë të ditur këtë vendim, vetëm pak orë pas rezultateve të zgjedhjeve, duke thënë se për datën e mbajtjes së seancës është pajtuar me kryetarin e parlamentit, Szymon Holownia.

Koalicioni i Tuskut, i qendrës së majtë, i cili ka nisur punën në fund të vitit 2023, është përballur me presion prej kur kandidati liberal, njëherësh kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski është mposhtur në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Zgjedhjet i ka fituar konservatori Karol Nawrocki.


Nawrocki, i cili ka garuar në emër të partisë konservatore, Ligji dhe Drejtësia (PiS) ka fituar 50.89 për qind të votave, derisa pro-evropiani Trzaskowski, i cili pati mbështetjen e Tuskut, ka fituar 49.11 për qind të votave.

Fitorja e Nawrockit pritet t’i komplikojë përpjekjet e Tuskut për të çuar përpara politika qeveritare pro-evropiane, pasi Nawrocki do të ketë të drejtën e vetos mbi legjislacionet.

Në Poloni, presidenti ka mandat pesëvjeçar, përfaqëson shtetin jashtë vendit, formëson politikën e jashtme, emëron kryeministrin dhe kabinetin, si dhe shërben si komandant i përgjithshëm i ushtrisë në rast lufte.

Presidenti në shkuarje, Andrzej Duda – i cili sikurse Nawrocki është me partinë PiS – e ka përdorur të drejtën e tij të vetos disa herë për të bllokuar agjendën qeveritare.

Nawrocki pritet të vazhdojë me ritëm të njëjtë, ose edhe më intensiv, dhe kjo rrezikon krijimin e problemeve të brendshme brenda koalicionit qeveritar.

Administrata e Tuskut deklaron se objektiv qendror e ka përmirësimin e dëmit të shkaktuar në fushën e sundimit të ligjit nga Qeveria e drejtuar nga partia Ligji dhe Drejtësia, e cila ka qenë në pushtet në periudhën 2015-2023, dhe e ka ndryshuar sistemin e drejtësisë në mënyra që janë parë si shumë të dëmshme për pavarësinë e gjyqësorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG