Ndërlidhjet

Trump thotë se produkteve të BE-së do t'u vendosen tarifa prej 25 për qind


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëgjon gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 26 shkurt 2025, përkrah sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëgjon gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 26 shkurt 2025, përkrah sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se tarifat mbi produktet e Bashkimit Evropian do të jenë rreth 25 për qind dhe la të kuptohet se tarifat mbi produktet e Kanadasë dhe Meksikës do të hyjnë në fuqi në fillim të prillit.

Duke folur në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, Trump e përshkroi BE-në – krijimin e së cilës Uashingtoni e kishte inkurajuar për dekada – si një përpjekje për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara.

“Shikoni, le të jemi të sinqertë, Bashkimi Evropian u formua për t’i dëmtuar Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.

I pyetur nëse kishte marrë një vendim mbi nivelin e tarifave për bllokun, Trump shtoi: “Do ta shpallim shumë shpejt dhe përgjithësisht do të jetë 25%”.

Ai tha se kjo do të ndikojë në shumë produkte, përfshirë makinat, duke shtuar se BE-ja “na ka shfrytëzuar vërtet shumë”.

Trump ka kërcënuar me “tarifa reciproke” ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së për të kundërshtuar atë që e quan tregti “të padrejtë dhe të pabalancuar”.

Ai gjithashtu ka thënë se do të vendosë taksa të gjera mbi importet e disa produkteve, si makinat dhe produktet farmaceutike.

Këtë javë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se nga këto tarifa mund të preken edhe biznese kosovare, që eksportojnë produkte në Shtetet e Bashkuara.

Deri më tani, eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht të qëndrueshme, por tarifat e paralajmëruara të presidentit Trump për mallrat e BE-së do të mund t’i rrisin kostot e prodhimit edhe për kompanitë kosovare.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka shpallur dhe ka pezulluar tarifa të përgjithshme ndaj fqinjëve të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, për shkak të emigracionit të paligjshëm dhe kontrabandës së fentanilit.

I pyetur për pezullimin, Trump tha se nuk po i ndalonte tarifat, duke shtuar se planifikonte që ato të hynin në fuqi më 2 prill.

“Tarifat do të vendosen, jo të gjitha, por shumë prej tyre”, tha ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG