Ndërlidhjet

Trump bëhet presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale


Donald Trump.
Donald Trump.

Donald Trump është shpallur fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Pas diskutimeve rreth dyditore, 12 anëtarët e jurisë e shpallën fajtor Trumpin për të gjitha 34 akuzat me të cilat ngarkohej.

Për të arritur një aktgjykim, nevojitej njëzëshmëri mes anëtarëve të jurisë.

Juria në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor të enjten mbrëma për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Falsifikimi i regjistrave biznesore dënohet deri më katër vjet burgim, por prokurorët nuk kanë thënë nëse ata synojnë të kërkojnë burgim për të, dhe nuk është e qartë nëse gjykatësi do të marrë vendim për dënimin e tij me burgim edhe nëse i kërkohet.

Ky dënim, e madje as burgimi i mundshëm, nuk do t’ia ndalojnë Trumpit vazhdimin e garës për president të Shteteve të Bashkuara.

Gjykimi ndaj tij nisi në prill dhe gjykatës i rastit ishte Juan Merchan, i cili e caktoi 11 korrikun si datë kur do t’i shqiptohet dënimi Trumpit.

Trump pritet të nominohet formalisht kandidat për president të SHBA-së nga Partia Republikane në korrik, pak ditë pasi do t’i jetë shqiptuar dënimi në këtë rast.

Trump mbajti qëndrim kokëfortë para vendimit të jurisë, duke pretenduar se ai është “njeri i ndershëm” dhe se “aktgjykimi i vërtetë do të jepet nga populli më 5 nëntor”, duke iu referuar datës të zgjedhjeve presidenciale.

Trump gjithashtu la të kuptohej se ekipi i tij ligjor do të bëjë ankesë ndaj vendimit të sotëm.

Trump ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

Trump ishte i martuar me Melania Trump në atë kohë.

Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.

Avokati personal i Trumpit, Michael Cohen, tha në gjykatë se ia transferoi avokatit të Danielsit 130.000 dollarë disa ditë para zgjedhjeve, me urdhër të Trumpit. Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale 2016 në fund.

Trumpi e ka mohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me Danielsin.

Prokurorët thanë se rimbursimi u paraqit rrejshëm për ta fshehur natyrën e vërtetë të transaksioneve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG