Presidenti amerikan, Donald Trump i ka prezantuar të enjten vonë shkallët e reja tarifore për dhjetëra partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara.
Ai ka thënë se tarifat ndaj 69 vendeve do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.
Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 31 korrik është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.
Në atë urdhër Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ishin goditur me taksë bazë prej 10 për qind.
Sipas modifikimeve të fundit, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.
Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.
Afati i 7 gushtit nuk vlen vetëm për Kanadanë, pasi tarifa prej 35 për qind në mallrat e saj ka hyrë në fuqi menjëherë. Kryeministri kanadez, Mark Carney është shprehur i zhgënjyer, ndonëse autoritetet kanadeze kanë përmendur se shumica e mallrave nuk preken nga vendimi, për shkak të marrëveshjes tregtare SHBA - Meksikë - Kanada.
Trump e ka bërë këtë njoftim pak para se të skadonte afati 90-ditor që kishte vendosur në prill për pezullim të tarifave që kishte prezantuar atëherë, me qëllim të ofrimit të hapësirës për të negociuar me partnerët tregtarë.
Përmes këtyre masave, ai synon të transformojë sistemin tregtar botëror, të cilin e konsideron të padrejtë ndaj SHBA-së.
Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, kanë arritur marrëveshje tregtare.
Administrata e tij ka thënë se pritet të arrihen edhe marrëveshje tjera tregtare në ditët në vijim.
Tarifat nënkuptojnë që kompanitë, të cilat dërgojnë mallra në Shtetet e Bashkuara, do të duhet t’i paguajnë taksë Qeverisë amerikane. Ekspertët besojnë se këto kompani mund t’i bartin shpenzimet te konsumatorët dhe për pasojë mund të rriten çmimet e mallrave.
Kur tarifat ishin përmendur për herë të parë në prill, ekspertët në Kosovë patën vlerësuar se ato do të kenë shumë ndikim për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Kosova, aktualisht, ka një taksë prej 10% për mallrat e importuara nga SHBA-ja.
Në fillim të prillit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës pezullimin e saj, por taksa është ende në fuqi.
Osmani pati thënë se zyra e saj e ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri - diçka që nuk ka ndodhur ende, as pas mbi 50 tentimesh.
Organizatat ekonomike në Kosovë kanë treguar se nga viti 2019, ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë (2022).
Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Ditë më parë, Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara besojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.
“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigje.