Përveç problemeve financiare, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe teknologjia e vjetruar janë disa nga problemet më të cilat po përballet kombinati metalurgjik "Trepça", thonë udhëheqës të kësaj ndërmarrje.
Drejtori menaxhues në "Trepçë", Basri Ibrahimi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të kalohet kriza financiare në "Trepçë", ndonëse siç thotë ai, problemet janë të shumta dhe të grumbulluara ndër vite.
Megjithatë, sipas tij, me një menaxhim më të mirë do të arrijnë të shtojnë prodhimin dhe brenda këtij viti do të stabilizohet gjendja financiare në "Trepçë".
“Trepça' ka qenë në një krizë duke pasur parasysh shumë faktorë, si pasiguria rreth statutit dhe problemet politike, por me Ligjin për Trepçën dhe statutin e aprovuar janë hapur rrugë që "Trepça" të ecë në drejtimin e duhur. Muajt e fundit prodhimi nuk ka qenë në nivelin e duhur, por jemi duke bërë përpjekje që ky prodhim të rritet, ne kemi përcaktuar një objektiv që deri në fund të vitit të arrijmë që pagat dhe shpenzimet tjera operative t’i mbulojmë nga prodhimet tonë pra nga puna e Trepçës”, thotë Ibrahimi.
Ai thekson se në "Trepçë" janë shumë probleme për të cilat nuk mund të gjendet zgjidhje e shpejtë, por se do të punohet në këtë drejtim dhe duhet të bëhen investime për të rritur prodhimin.
“Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në minierë dhe teknologjia e vjetruar janë dy nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet do të na ndihmojnë në investimet kapitale për të avancuar teknologjinë që përdoret në miniera dhe flotacion dhe unë jam i bindur se vitin tjetër do të jetë një vit pozitiv për Trepçën dhe hapjes së perspektivës si shoqëri aksionare”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës pati ndarë për paga të punëtorëve mbi 2 milionë euro ndërsa për investime kapitale ka ndarë 1.3 milionë euro, thotë Ibrahimi, që sipas tij, do të mjaftojnë në rifreskimin e teknologjisë dhe arritjen e objektivave.
Por, zhvillimet e fundit politike në vend si dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zgjedhjet e eventuale të parakohshme që mund të mbahen do të ndikojnë në proceset e nisura për rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrje.
Në letrën e dorëheqjes, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj kishte përmendur edhe Trepçën ku kishte thënë se kjo ndërmarrje është e gatshme për investime.
Video nga arkivi: Trepça, pjesë e dialogut Kosovë-Serbi?
Trepça muaj më parë është regjistruar si shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të "Trepçës".
Minatorë të kombinatit metalurgjik "Trepça" janë skeptik se mund të arrihet që "Trepça" të dal nga kriza financiare në të cilën është futur.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe se në këtë ndërmarrje është bërë menaxhim jo i duhur.
“Drejtori i ri ka premtuar se do të rris prodhimin dhe do të rimëkëmbë Trepçën deri në fund të viti, por realisht unë e shoh me skepticizëm për shumë arsye pasi që Trepça është e zhytur në borxhe të mëdha, tani vetëm mbi 3 milionë euro i ka borxh operatorëve. Ne do të ishim më të lumtur nëse "Trepça" të rimëkëmbet, por sipas të gjitha gjasave me këtë prodhim aktual nuk po arrihet të sigurohen as pagat e punëtorëve”, thotë Sadiku.
Sadiku shton se prodhimi aktual në "Trepçë" është i ulët dhe atë vetëm deri në 10 mijë ton xehe në muaj me të cilët sipas tij, nuk arrihet të mbulohen pagat e rreth 1300 minatorëve të kombinatit metalurgjik "Trepça”.
“Trepça ka nevojë për një menaxhim të mirë, për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe nepotizmit, "Trepça" ka ardhur në këtë gjendje ku nuk po arrihet të sigurohen as pagat e minatorëve. Ka vonesa në pagesën e pagave. Me këtë prodhim nuk arrihen të mbulohen as shpenzimet dhe pagat e minatorëve”, thotë Sadiku.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.
*Video nga arkivi: Vitet e humbura të "Trepçës"
Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.
“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi.