“Jemi shumë të kënaqur me ata që kanë ardhur të na vizitojnë, por edhe me vendin”, thotë Ali Aydin, teknik i projektit të Muzeut lëvizës “Luftërat e Çanakalasë”.
I vendosur në një kamion të gjatë, ky muze është një fragment i Muzeut të Qendrës Historike të Galipolit në Turqi.
Ai u hap më 12 mars në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në qendër të qytetit të Prishtinës.
Beteja e Galipolit, që njihet si Lufta e Çanakalasë, ishte ndër më të përgjakshmet në Luftën e Parë Botërore - me rreth 280 mijë viktima.
Ajo u zhvillua nga prilli i vitit 1915 deri në janar të vitit 1916, ndërmjet ushtrisë së Perandorisë Osmane dhe forcave aleate - të përbëra nga Britania e Madhe, Franca, Australia dhe Zelanda e Re.
Beteja përfundoi me fitoren e ushtrisë osmane.
Turqia, si trashëgimtare e historisë së kësaj perandorie, shënon sivjet përvjetorin e 110-të të kësaj beteje.
Aydin thotë se muzeun lëvizës e vizituan rreth 2.000 persona, të cilët panë ekzemplarë të uniformave ushtarake, armëve të këmbësorisë, pajisjeve ushtarake, si dhe pamje të betejave në Galipol.
Në mesin e eksponateve ishte edhe një figurë nga polisteri e themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, i cili ishte një nga eprorët e lartë osmanë në Betejën e Galipolit.
“Është një turne kulturor, për t’ua rikujtuar të gjithëve këtë luftë, e cila ka ndodhur”, thotë Aydin, derisa po përgatitej ta mbyllte muzeun lëvizës, pas dy ditësh qëndrimi në Prishtinë.
Muzeu lëvizës “Luftërat e Çanakalasë”, më 14 mars, u hap në Mamushë dhe do të vazhdojë më pas edhe në Dragash e Prizren.
Turneun e këtij muzeu, i cili në Kosovë përfundon më 19 mars, e organizoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Turqisë, përmes ambasadës së këtij vendi në Prishtinë.
Në faqen e internetit të Qendrës Historike të Galipolit, motoja e muzeut lëvizës është: “Kudo ku valëvitet flamuri i kuq, aty është Çanakala”.
Aty, po ashtu, thuhet se ky muze ka bërë xhiro në të gjithë Turqinë dhe se tani “po niset drejt Ballkanit - gjeografisë së zemrave tona”.
Sipas organizatorëve të këtij muzeu lëvizës, ai do të udhëtojë drejt të gjitha vendeve të Ballkanit, të cilat, siç thonë, dërguan mbi 25 mijë vullnetarë për të luftuar në Çanakala, në anën e ushtrisë osmane.
Sa dinë qytetarët për Çanakalanë?
Disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se kanë informacione lidhur me Betejën e Galipolit, të cilës i referohen si Lufta e Çanakalasë.
Dalip Ramadani thotë se arsyeja përse është interesuar për këtë betejë, është pjesëmarrja e mijëra shqiptarëve në të, në anën e ushtrisë osmane.
“Shumë shqiptarë kanë luftuar për Çanakalanë. Kanë mbetur atje. Sot e kësaj dite janë të varrosur atje...”, thotë Ramadani.
“Tash, njerëzit kanë mbledhur mend dhe nuk besoj se dikush do të shkonte 1 mijë kilometra larg, për të luftuar për dikë tjetër”, shton ai.
Bajram Krasniqi e sheh si një gjë pozitive vendosjen e Muzeut lëvizës “Luftërat e Çanakalasë” në Prishtinë.
Ai thotë se vetë fakti që në atë betejë kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë, e bën atë “moment historik”.
Krasniqi, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që duke i thurur lavde Betejës së Çanakalasë, muzeu lëvizës të ketë edhe sfond politik.
“Mbase edhe mund të ketë politikë, në kuptimin e proklamimit ose glorifikimit të luftës së Perandorisë Osmane. Ajo është çështje politike, ndërsa mua më intereson më shumë kjo pjesa historike”, thotë ai.
Rikthim i “vëllazërisë” apo i ndikimit “miqësor”
Pjesëmarrja e shqiptarëve të besimit islam, por edhe e qytetarëve të kombeve të tjera të Ballkanit me këtë besim në Betejën e Galipolit, ndodhi pas vendimit apo “fetfasë” së nëntorit të vitit 1914 të sulltanit Mehmeti i pestë Reshad, i cili ishte në krye të Perandorisë Osmane në atë kohë, shpjegon Agron Islami, historian i Periudhës Osmane në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Ai thotë se, bazuar në dokumentet historike, shumica e pjesëmarrësve shqiptarë në këtë betejë, ishin nga zonat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 1912.
Islami thotë se ka vizituar muzeun lëvizës në Prishtinë, porse më herët, si studiues, ka vizituar edhe Muzeun e Qendrës Historike në Galipol.
Muzeu lëvizës në Prishtinë, sipas tij, ka sjellë vetëm dromca të ngjarjes historike.
“Unë nuk pashë aty ndonjë informacion për pjesëmarrjen e shqiptarëve. Por, aty pashë radhë të njerëzve që shkonin për të vizituar (muzeun lëvizës), sepse Çanakalaja është një luftë, e cila, në një mënyrë, është e gdhendur në kujtesën e shqiptarëve, marrë parasysh që ka kaluar edhe në folklorin shqiptar”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.
Në traditën muzikore të folklorit shqiptar, përmes këngës, “Çanakalaja” përshkruhet si një fushëbetejë, ku luftëtarët shqiptarë të ushtrisë osmane, në çastet e fundit të jetës, janë përballur me forcat kundërshtare.
Në kontekstin e sotëm të zhvillimeve në botë, sipas historianit Islami, Muzeu lëvizës “Luftërat e Çanakalasë” mund të shihet edhe si manifestim i ruajtjes së ndikimit të Turqisë moderne - si trashëgimtare e Perandorisë Osmane në Ballkan, e cila ka sunduar rreth pesë shekuj.
Islami thotë se qasja aktuale e Turqisë është miqësore në raport me vendet e Ballkanit, e në veçanti me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
“Kjo më shumë është një lloj tendence për ta fituar ose rifituar atë miqësinë, apo siç e quajnë ata ‘vëllazërinë’. Ndikimin (në Kosovë), konsideroj që e kanë të gjitha shtetet e fuqishme dhe një prej tyre është edhe Turqia”, thekson Islami.
Pas qëndrimit në Kosovë, Muzeu lëvizës “Luftërat e Çanakalasë” do të udhëtojë për në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Maqedoni të Veriut, për ta përmbyllur këtë rrugëtim në Bullgari, në muajin maj.