Autoritetet në Austri kanë shkatërruar një rrjet trafikantësh, që kishin sjellë në shtet qindra migrantë përmes Ballkanit.
Policia në provincën Lower të Austrisë tha më 27 nëntor se në ditët e fundit, 15 trafikantë – shtetas të Moldavisë, Ukrainës dhe Uzbekistanit – u arrestuan gjatë kontrolleve në disa vetura të dyshuara, por edhe në një hotel në Vjenë.
Personat e arrestuar dyshohet se kishin trafikuar migrantët dhjetëra herë. Ata besohet se kishin transportuar migrantët me vetura dhe furgonë nga kufiri ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë përmes Sllovakisë dhe Çekisë, deri në pjesën verilindore të Austrisë, tha policia.
Shumica e migrantëve ishin nga Libani, Egjipti dhe Siria dhe qëllimi i tyre kryesor ishte që të arrinin në Gjermani.
Ky rrjet trafikantësh besohet se kishte transportuar mbi 700 persona, duke marrë 4,000-5,000 euro për person për çdo udhëtim deri në Austri. Policia tha se ky grup kishte përfituar mbi 2.5 milionë euro nga trafikimi i migrantëve.
Trafikantët besohet se ishin rekrutuar në shtetet e tyre të lindjes përmes njoftimeve në rrjetet sociale, ku ofroheshin punë si shoferë me pagë mujore prej 2,000 deri në 3,000 euro, tha Policia austriake.
Autoritetet thanë se operacioni i trafikimit të njerëzve tregoi se e ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” është mjaft aktive dhe shumë e rrezikshme për migrantët, pasi një numër migrantësh vdiqën gjatë këtij viti.
“Për shkak të nivelit të lartë të aktivitetit në Ballkan, atje gjithmonë ka situata shumë të rrezikshme. Nganjëherë migrantët duhet të qëndrojnë me orë të tëra në furgonë që kanë pak ajër”, tha Gerald Tatzgern, shef i zyrës kundër trafikimit të njerëzve në Policinë austriake.