Projekti për Termocentralin “Kosova e Re”, mund të përballet me vonesa për shkak të situatës politike, në të cilën po kalon Kosova.
Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës që pritet të bëhet më 22 gusht, do të pamundësojë miratimin e pakos financiare që nevojitet si garanci shtetërore për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”.
Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht ky projekt nuk rrezikohet, por në rast të zvarritjes së krijimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, atëherë do të ketë vonesa e pastaj, sipas tij, pasojnë edhe ndëshkimet financiare.
“Nga ana e Kosovës janë kryer shumica e procedurave që i kemi në përgjegjësi kontraktuale, kurse jemi në pritje të një përmbylljeje financiare që duhet të bëhet nga ana e ‘Contour Global’. Kjo përmbyllje financiare pasi të kryhet, shkon si paketë financiare në Kuvendin e Kosovës për aprovim. Përmbyllja e kësaj pakoje financiare, nëse nuk përket me Parlamentin e Kosovës të jetë i themeluar dhe Qeveria të jetë funksionale, atëherë mund të shkaktojë vonesa nga ana jonë, por unë besoj që ka kohë dhe deri në muajin dhjetor kemi kohë që të jemi gati”, thotë Lluka.
Ai shton se nëse deri në dhjetor eventualisht nuk ka Qeveri dhe Kuvend funksional, atëherë mund të shkaktohen vonesa nga ana e Kosovës, e cila siç thotë ai, nuk do të ishte e mirëpritur nga asnjëra palë.
Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.
Ndëshkimet, rreth 20 milionë euro
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.
*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Ministri në dorëheqje, Lluka, sqaron se në bazë të kësaj kontrate, deri në muajin maj të vitit të ardhshëm të dy palët duhet t’i përfundojnë procedurat ligjore dhe të fillojë ndërtimi i termocentralit.
Por, nëse deri në atë kohë nuk arrihet të përfundohen të gjitha procedurat, shton Lluka, fillojnë ndëshkimet, të cilat në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhin.
“Nëse zvarritet për shkak të problemeve tona pasojat janë që ne kemi një obligim financiar ndaj kompanisë ‘Contour Global’ që është 19.7 milionë euro, nëse ne i përfundojmë obligimet, por ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë ata i detyrohen Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh”, shpjegon Lluka.
Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve thonë se ekonomia e Kosovës dhe projektet kapitale në vazhdimësi po pengohen nga ciklet e shpeshta të zgjedhjeve, në të cilat vendi ka kaluar viteve të fundit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme që projekti i termocentralit të mos ketë vonesa në procedura edhe për shkak të penalizimeve, por edhe për shkak të investimit.
“Termocentrali ‘Kosova e Re’ është një ndër projektet e vetme që është në pritje për investime më të mëdha në Kosovë dhe si i tillë është i rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë për investime në vend dhe në të njëjtën kohë për pritjen e investimeve tjera që mund të pasonin, qoftë nga rritja e besimit, qoftë nga infrastruktura, pasi që ne e dimë se kemi probleme të vazhdueshme me energji elektrike. Është një mundësi e fundit për të nxitur investime. Ne presim një Kuvend të ri, i cili shpresojmë të jetë më efikas sesa Kuvendi që ka qenë deri tani, e i cili është në prag të shpërndarjes”, thotë Rukiqi.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e termocentralit "Kosova e Re" është llogaritur të jetë 40 vjet.
Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si një projekt të dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.