Ndërlidhjet

Gjashtë tentimet e të riut nga Kukësi për të hyrë në Britani: "Kam frikë se do ta provoj prapë”


Disa migrantë në ujërat ndërkombëtarë duke pritur një anije gjermane për t'i shpëtuar. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Disa migrantë në ujërat ndërkombëtarë duke pritur një anije gjermane për t'i shpëtuar. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pas gjashtë tentativave të dështuara për të emigruar në Britani të Madhe, 28-vjeçari V.H. - identieti i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it - po përpiqet të mbajë gjallë biznesin e tij të vogël në Kukës, të cilin e hapi pasi nuk kishte alternativë tjetër për të mbijetuar.

Ky, megjithatë, i duket një mision i vështirë, pasi gjendja ekonomike në Shqipëri është rënduar.

Sipas Institutit të Statistikave në këtë vend (INSTAT), Kukësi është qarku më i varfër në Shqipëri.

V.H. thotë se fitimet nga biznesi i tij janë të pamjaftueshme.

Ai ka provuar të gjitha ato herë të largohet ilegalisht nga Shqipëria me gomone, përmes Kanalit të La Manshit apo Kanalit Anglez, drejt Britanisë. Dhe, pavarësisht tmerrit që thotë se ka kaluar, sërish do të ishte i gatshëm ta bënte rrugën e njëjtë, në formën e njëjtë.

Rrugëtimi i tij për kërkimin e një jete më të mirë nisi tetë vjet më parë, fillimisht në Gjermani.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se për shkak të njohurive që kishte në gastronomi dhe falë ndihmës së bashkatdhetarëve të tij, nuk e pati të vështirë të gjente punë.

Por, gjithçka ndryshoi me shpërthimin e pandemisë COVID-19, në vitin 2020, kur thotë se u detyrua të kthehej në Shqipëri.

“Sapo u liruan masat anti-COVID, emigrova sërish. Ishte e pamundur të mbaje familjen me një pagë shteti 36 mijë lekë [rreth 310 euro] në muaj. Ika në Francë, ku çdo ditë dëgjoja nga miqtë e mi se në Britani është më e lehtë të gjesh një punë dhe paguhet më mirë. Nuk e mendova gjatë, por provova të ikja me dokumente të falsifikuara si shtetas grek… Sigurisht që u kapa nga policia dhe më kthyen mbrapsht në Shqipëri”, tregon V.H. dhe shton se kësaj here e kishte të pamundur të qëndronte gjatë në Shqipëri, pasi kishte humbur edhe punën.

Miqtë i kishin thënë se për të emigruar në Britani, e vetmja mënyrë ishte kalimi me gomone nga Franca drejt Britanisë.

Tmerri i udhëtimeve me gomone që nuk u finalizuan kurrë

“Kam provuar gjashtë herë kalimin me gomone, secila përvojë ka qenë më e vështirë se tjetra. Ruaj kujtime të tmerrshme, episode që kur i kujtoj, habitem se si kam tentuar ta bëj sërish, por kam frikë se do ta provoj prapë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se, herën e parë, ka qëndruar rreth dy muaj në Francë pa pasur mundësi që të niset drejt Britanisë, për shkak të kontrolleve të shpeshta të policisë, por edhe motit të keq.

Disa migrantë duke u ndihmuar nga autoritetet britanike, pas tentimeve për të kaluar në Britani përmes Kanalit Anglez.
Disa migrantë duke u ndihmuar nga autoritetet britanike, pas tentimeve për të kaluar në Britani përmes Kanalit Anglez.

Grupi i trafikantëve shqiptarë, thotë ai, i mblidhte nëpër zona të ndryshme emigrantët “dhe i dorëzonte më pas te kurdët”, për të cilët thotë se kontrollojnë trafikun e emigrantëve të paligjshëm.

Kur plotësohej grupi prej 80 vetash, mund të bëhej nisja, thotë ai.

Ky udhëtim i parë i tij drejt Britanisë nuk u finalizua. Ai tregon se gomonia u kthye, pasi drejtuesit kuptuan se nuk po orientoheshin dot.

Dëgjojeni rrëfimin e V.H.

I riu nga Kukësi, i cili provoi të emigrojë në Britani me gomone: Uroja të mos vdisja nga i ftohti
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:14 0:00

Të pashpresë, shqiptarët po rrezikojnë jetën për të shkuar në Britani

Sërish duhet të prisnin momentin e duhur e të fillonin nga e para me montimin e gomones, mbajtjen e saj mbi supe dhe nisjen mes të ftohtit.

I riu thotë se i ka mbetur në mendje gruaja që e ndihmoi të hynte në gomone, e cila kishte dy fëmijët me vete - djalin 14 vjeç dhe vajzën 9 vjeçe.

“Ndërsa prisja udhëtimin e radhës, thosha me vete se sa e pashpresë mund të jetë një nënë sa të detyrohet të marrë fëmijët e saj dhe të përballet me këtë situatë, duke e ditur se mund të rrezikojë edhe jetën duke udhëtuar me gomone”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujton se derisa prisnin nisjen, ruheshin me armë nga kurdët, dhe se përveç grupit të tyre kishte mjaft të tjerë, që prisnin të njëjtën gjë - udhëtimin me gomone drejt Britanisë.

Edhe pesë tentativa të tjera dështuan - herë se drejtuesit e gomones nuk ishin të orientuar, herë sepse mbaronte benzina. Ai tregon se kanë qëndruar deri në 20 orë në det, pasi sa niseshin, viheshin re nga policia dhe largoheshin.

V.H. kujton se pjesa më e madhe e shqiptarëve që prisnin udhëtimin me gomone, ishin 14-19 vjeç. Ai e mban në mend se si një 17-vjeçar nga Tirana qante shpesh, sepse ishte i pasigurt për fatin e tij - nëse do t’ia dilte dot të kryente udhëtimin shumë të rrezikshëm me gomone.

Në këtë fotografi shihet një fëmijë migrant që është shpëtuar nga organizatat ndërkombëtare në Detin Mesdhe. Fotografi nga arkivi.
Në këtë fotografi shihet një fëmijë migrant që është shpëtuar nga organizatat ndërkombëtare në Detin Mesdhe. Fotografi nga arkivi.

“Ishte e rëndë ta dëgjoje kur fliste, ta shihje kur qante dhe gjithnjë përsëriste: A thua do ta shoh prapë vëllain e vogël 9 vjeç? Më dhimbsej shumë e në të njëjtën kohë mendoja se si ka mundësi që pas kaq vitesh demokraci, ende ikim... tani edhe fëmijët. Mbaj mend një natë kur na tha që kishte ditëlindjen, por në kushtet ku ishim, çfarë mund të bënim për të... E morën vesh edhe kurdët që na drejtonin. Njëri prej tyre tha se meqë ka ditëlindjen, mund të qëllonte me armë, dhe i mituri qëlloi në ajër pa e menduar gjatë. Po atë natë, një grup tjetër kurdësh erdhën dhe u përleshën me grupin që na drejtonte neve, duke i akuzuar për vrasje, rrëmbime. Atëherë na kapi një frikë e madhe se 17-vjeçari mund të arrestohej, pasi kishte gjurmët e tij në një armë që nuk dihej për çfarë krimesh ishte përdorur”, kujton V.H.

“Kam kaluar shumë momente të vështira, por prapë nuk e mendova të kthehesha, derisa policia na kapi”, thotë ai, duke treguar se u mbajtën 28 ditë në paraburgim dhe u kthyen në Shqipëri.

Vështirësitë e integrimit të një emigranti: Gati të nisem sërish me gomone

Kur Radio Evropa e Lirë e pyet përse zgjodhi të rrezikonte kaq shumë dhe të mos tërhiqej edhe pas këtyre vuajtjesh, ai ka vetëm një përgjigje:

“Çfarë të bëj këtu në Kukës apo kudo tjetër? Ky vend nuk ofron asgjë. Nuk të jep mundësi, nuk të mbështet, shkurt nuk mbijeton dot, nuk mban dot familjen”.

Pas kthimit i duhej të mendonte se si të siguronte të ardhura për familjen, dy prindërit, bashkëshorten dhe vajzën e tij.

“E nis punën në 4:00 të mëngjesit dhe e mbyll në 8:00 të darkës. Të gjitha çmimet janë rritur, nafta, energjia, lënda e parë. Dhe, çdo ditë them: Dakord, e pata një ide, hapa një biznes, por si do të mbijetoj në një vend si Kukësi, ku ka gjithnjë e më pak banorë, dhe ku varfëria është e madhe? Vijnë, pyesin për çmimet dhe largohen pasi të kritikojnë pse i mban kaq lart çmimet. Dhe, si t’ua shpjegoj se ndryshe nuk ia vlen dhe më duhet ta mbyll biznesin tim? Por, ndërsa qytetarëve nuk ua shpjegoj dot situatën, nuk arrij të kuptoj se si ka mundësi që institucionet nuk ndihmojnë iniciativat e të rinjve, që të rrimë këtu. Askush nuk do të ikte nga vendi i tij”, thotë ai.

Ai tregon se është në borxh, të cilin e mori për ta hapur biznesin, dhe thotë se do të provojë edhe pak të qëndrojë në Shqipëri.

“Por, nuk e di se sa do të zgjasë. Kam frikë se sapo të më vijë mundësia e parë, do të emigroj prapë, prapë me gomone. Kam arritur në pikën që jam gati të rrezikoj, edhe nëse e di se mes dallgëve të pret vdekja... Por, sigurisht, ik me shpresën se do ia dal dhe do të punoj e do të paguhem aq sa e meritoj, aq sa më mjafton për të jetuar me dinjitet. Është e vështirë të përballohet jetesa me kaq të ardhura dhe kam një pyetje për zyrtarët: A do të jetonin dot vetëm një muaj me 30 apo 40 mijë lekë [më pak se 400 euro] në muaj?”, thotë ai.

"Nëntë orë në kamion frigoriferik, pagova 18 mijë funta"

Një tjetër i ri nga Kukësi, që po ashtu nuk dëshiron të identifikohet, rrëfen për Radion Evropa e Lirë se si arriti të hynte në Britani, ku po punon në të zezë.

“Jam larguar në fund të vitit 2020, me autobus drejt Belgjikës. Kam qëndruar disa ditë në një hotel, ku vetëm aty ishin rreth 500 shqiptarë që prisnin të iknin drejt Anglisë. Prej aty, duhet të kalonim në Spanjë dhe kam parë mënyra nga më të ndryshmet dhe të rrezikshmet se si shqiptarët përpiqeshin të arrinin në Angli. Futeshin në aksin e kamionëve për të hyrë në traget pa u vënë re, kapeshin pas litarëve të anijeve… Unë kam udhëtuar në një kamion frigoriferik për nëntë orë. Kam qenë me dy shqiptarë të tjerë. Ishte shumë e vështirë t'i përballoje temperaturat e ulëta dhe në çdo çast në ankth nëse do ia dilja, nëse do zbulohesha nga policia”, tregon ai.

Migrantë tjerë të shpëtuar nga forcat kufitare franceze, që kanë synuar të nisen në Britani. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Migrantë tjerë të shpëtuar nga forcat kufitare franceze, që kanë synuar të nisen në Britani. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ky udhëtim i ka kushtuar shtrenjtë këtij emigranti.

“Kam paguar 18 mijë funta [mbi 20 mijë euro] për të hyrë në Britani. Më duhen akoma edhe 4 mijë euro për ta shlyer këtë borxh. Punoj në ndërtim, së bashku me shumë shqiptarë, por jemi pa dokumente. Për këtë arsye paguhemi më pak se ata që janë të rregullt, e po ashtu jemi me frikën se mund të ndalohemi e të kthehemi mbrapsht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se shumë shqiptarë shkojnë në Britani me vizë turistike 6-mujore dhe se kjo u jep mundësi që të punësohen dhe më pas të arrijnë t'i bëjnë dokumentet.

Duke kujtuar peripecitë që i ka kaluar për të hyrë në Britani dhe referuar nevojës që ka ky vend për forcë punëtore, emigranti thotë se do të ishte mirë të mundësohej punësimi legal sezonal, e në këtë mënyrë, sipas tij, do të shmangej edhe përfshirja e të rinjve shqiptarë në aktivitete ilegale.

Një anketë e INSTAT-it, e realizuar në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare dhe e publikuar në vitin 2019, ka treguar se në periudhën 2011-2019 nga Shqipëria janë larguar 360 mijë persona. Sipas kësaj ankete, 50 për qind e të larguarve janë të rinj të moshës 15-24 vjeç.

Shkaku kryesor që të anketuarit kanë përmendur për emigrimin e tyre, është varfëria, ndërsa ndër qarqet me humbjet më të mëdha të banorëve renditej Kukësi.

Numri i lartë i emigrantëve shqiptarë shqetësoi autoritetet britanike, dhe në mes të muajit dhjetor të vitit që shkoi, Britania dhe Shqipëria ranë dakord për ngritjen e një task-force të përbashkët, për të adresuar emigracionin e paligjshëm.

Sipas marrëveshjes mes dy vendeve, Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe në këmbim të ndihmës nga Britania, merr përsipër të kujdeset për të kthyerit që konsiderohen viktima të trafikimit.

Sipas autoriteteve britanike, në vitin 2022 është shënuar shifër rekorde e njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me barka të vogla për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar – më shumë se 33.500.

Më 14 janar, ministri britanik për Imigrim, Robert Jenrick, ka thënë se autoritetet shtetërore janë duke punuar për të luftuar hyrjet e paligjshme dhe ka përmendur në veçanti migrantët nga Shqipëria.

Sipas tij, në mesin e tyre ka edhe kriminelë.

“Këta migrantë, jo vetëm që janë këtu ilegalisht - duke tentuar të mashtrojnë sistemin përmes arritjes me barka të vogla nëpër Kanalin Anglez - mirëpo të tjerë janë kriminelë të rrezikshëm, të cilët janë dënuar për shkelje të lidhura me drogën”, ka thënë ai.

Shqipëria nis notë verbale ndaj Britanisë

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi notë verbale Britanisë së Madhe për retorikën e përdorur, që Tirana zyrtare e cilësoi si “gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim” ndaj emigrantëve shqiptarë.

Ministria tha të hënën se nota verbale iu dorëzua ambasadorit britanik në Tiranë, Alaistar King Smith.

“Kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit dypalësh, të konfirmuar në Deklaratën e përbashkët mes kryeministrave Edi Rama dhe Rishi Sunak”, thuhet në notën verbale.

Përmes këtij reagimi zyrtar kërkohet shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimi, si dhe vazhdimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve për këtë dhe çështje të tjera.

Ndërkohë, ministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë e Shqipërisë, Olta Xhaçka, është shprehur e shokuar me deklaratat e ministrit britanik dhe e ka konsideruar gjuhën e përdorur nga ai si “linçim ndaj gjithë kombit”.

“Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të mrekullueshme, që kthen mbrapa kujtime të tmerrshme”, ka thënë mes tjerash Xhaçka.

Më herët, edhe ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, i cilësoi emigrantët shqiptarë si "kriminelë". Kjo deklaratë u dënua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa qindra shqiptarë dolën në protestë në Londër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG