Ndërlidhjet

Të rinjtë nuk i josh kthimi në Maqedoninë e Veriut


Pamje në Shkup - Footografi ilustruese.
Pamje në Shkup - Footografi ilustruese.

Lura Pollozhani, e cila aktualisht ndjek studimet e doktoratës dhe është e angazhuar si hulumtuese në shkencat humane në Universitetin e Gracit në Austri, nuk ka vendosur ende nëse do të kthehet në Maqedoninë e Veriut, për ta vazhduar karrierën dhe për të kontribuar në zhvillimin e proceseve atje.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se për të rinjtë, të cilët shkollohen jashtë Maqedonisë së Veriut, nuk është e vështirë të gjejnë punë në institucionet e vendit pas kthimit, por për ta, sipas saj, sfida më e madhe mbetet nëse do të arrijnë të bëjnë ndryshime brenda institucioneve, në përputhje me standardet evropiane, për çka edhe janë edukuar në vendet e Bashkimit Evropian.

“Mendoj se sfida më e madhe ekziston në nivelin shoqëror dhe pastaj ajo sfidë që ekziston në nivelin shoqëror, përhapet edhe në institucione. Mendoj se problemi nuk është edhe aq në sensin se a do të mund të gjesh një vend pune, pasi të kthehesh në vend, por sfida është nëse do të mund ta bësh atë ndryshim që synon ta bësh brenda kornizave institucionale, në përputhje me standardet evropiane”, thotë Lura Pollozhani.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut besojnë se negociatat për anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian do të kontribuojnë dukshëm në ngritjen e cilësisë së jetës, megjithëse më shumë se 30 për qind e tyre të ardhmen e shohin jashtë vendit.

Këto rezultate janë pjesë e hulumtimit “Pjesëmarrja qytetare dhe perspektiva evropiane”, i realizuar nga organizata joqeveritare “Reaktor”, në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri të Hapur, Qendrën për Strategji Evropiane dhe Qendrën për Komunikime Qytetare.

Tanja Ivanova, nga organizata joqeveritare “Reaktor”, thotë se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve, përkatësisht më shumë se 30 për qind e tyre, e shohin veten jashtë shtetit në pesë vjetët e ardhshëm.

Hulumtimi, sipas saj, ka nxjerrë në pah se shqiptarët kanë më shumë besim se maqedonasit se Maqedonia e Veriut do të jetë një vend më i mirë për jetesë, pasi të anëtarësohet në familjen evropiane.

“Shqiptarët etnikë dhe bashkësitë e tjera më shumë besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet një vend më i mirë për jetesë, edhe atë 69 për qind, kundrejt 54 për qind të maqedonasve etnikë, të cilët nuk besojnë se do të rritet cilësia e jetesës, nëse vendi bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”, thotë Ivanova.

Sandra Anastasovska, përfaqësuese e sektorit civil, thotë se institucionet duhet të tregohen më të hapura për të shfrytëzuar potencialin e resurseve njerëzore, për të plotësuar standardet që kërkohen nga Bashkimi Evropian, sa i përket realizmit të reformave në çdo sferë të shoqërisë.

“Qytetarët shprehin interesim për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale, por thonë se nuk janë të njoftuar me mundësitë se si mund të kontribuojnë. Këto barriera duhet eliminuar sa më parë, për të shfrytëzuar kapitalin e resurseve njerëzore, veçanërisht të të rinjve, të cilët paraqiten si një potencial shumë i rëndësishëm në shoqëri”, thotë Anastasovska.

Nga ana tjetër, Lura Pollozhani thotë se akoma vazhdon mendësia se të rinjve nuk duhet t'iu besohen pozicione drejtuese.

Siç thotë ajo, ndërhyrja e politikës në ngritjen në karrierë dhe jo meritokracia janë shumë dekurajuese për të rinjtë, të cilët dëshirojnë të inkuadrohen në institucionet e vendit.

“Për t‘u zmadhuar kjo hapësirë, për t’u bërë më e dukshme që të rinjtë ta shohin perspektivën në Maqedoninë e Veriut, duhet një ndryshim më gjithëpërfshirës shoqëror kundrejt ideve të reja, veçanërisht kundrejt idesë se ka të rinj të profesionalizuar, që mund t’u lësh mbi supe edhe detyra të vështira. Mendoj se akoma vazhdon kjo ide se duhet të jesh në moshë për të qenë me eksperiencë, megjithëse këtë gjë s’e mohoj. Por, njëkohësisht, autoritetet duhet të kenë sens të hapjes, përkatësisht besimit ndaj të rinjve, sepse ata kanë aftësinë e komunikimit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, shpejt e pa paragjykime, duke pasur për bazë profesionalizmin”, thotë Pollozhani.

Hulumtimi “Pjesëmarrja qytetare dhe perspektiva evropiane”, që kanë realizuar organizatat joqeveritare, ka nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar, vlerësojnë se edhe ata mund të japin kontributin e tyre në procesin integrues drejt Bashkimit Evropian, por problematike, siç thuhet, mbetet mosnjohja e mundësive për t'u përfshirë në këtë proces.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG