Interesimi në mesin e të rinjve për të marrë vaksinën kundër koronavirusit është rritur edhe më shumë gjatë javës së fundit, pas paralajmërimit të kreut të dikasterit të shëndetësisë, Venko Filipçe, se planifikohen masa kufizuese në vjeshtë, për të gjithë personat që refuzojnë vaksinimin kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Në Maqedoninë e Veriut, rreth 12 mijë të rinjë kanë pranuar të paktën një dozë nga vaksinat e ndryshme kundër koronavirusit, pavarësisht se grupmoshat e reja janë në fund të listës për nga prioriteti.
Të rinjtë, përmes kërkimeve shkencore më shpejt heqin dilemat rreth vaksinave
Një pjesë e të rinjve thonë se lajmet e rreme që janë gjithnjë e më të pranishme në rrjetet sociale, për vaksinat, që sikur kanë më shumë efekte anësore, ku bën pjesë dhe ajo se vaksinat kundër koronavirusit shkaktojnë infertilitet tek meshkujt, ka bërë që të hezitojnë të vaksinohen, por që shtojnë se pas kërkimeve në internet kanë hequr dilemat.
“Unë jam studente e shkencave kompjuterike. Edhe pse kam hasur në shumë lajme të rreme, kam bërë shumë hulumtime për sigurinë e vaksinave dhe pastaj kam vendosur që të vaksinohem”, thotë Sara Saiti studente nga Shkupi.
Të rinjët janë më të prirur të dallojnë lajmet e rreme
Nga ana tjetër, Guxim Nuhiu nga sektori civil, që në fokus ka të drejtat e të rinjve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pikërisht besimi në shkencë ka bërë që të jetë në rritje numri i të rinjve që janë të interesuar për marrjen e vaksinës dhe jo vetëm kufizimet e paralajmëruara për ata që nuk kanë marrë vaksinat.
“Njoh shume te rinj që kanë aplikuar dhe kanë pritur termine për vaksinim, gjithashtu e dimë që edhe shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, kanë udhëtuar drejt Serbisë për t'u vaksinuar, duke qenë se ne kemi pasur mjaft probleme me sigurimin e vaksinave. Mendoj që këtu ndikon shumë edhe pjesa që të rinjtë kanë prirje t’i dallojnë lajmet e rreme për vaksinat dhe nuk frikësohen që të vaksinohen. Edhe unë gjithashtu kam aplikuar dhe jam në pritje të terminit”, thotë Nuhiu.
Të gjithë mbi moshën 18-vjeçare, mund të marrin cilëndo vaksinë që është në dispozicion në Maqedoninë e Veriut, përpos asaj AstraZeneca, e cila u jepet personave mbi moshën 60 vjeçare.
Ndërkohë që të gjithë prindërit, nga e hëna e kësaj jave, mund të aplikojnë për vaksinimin e fëmijëve nga mosha 1 deri në 12-vjeçare.
Autoritetet shëndetësore akoma nuk kanë dhënë asnjë informacion, nëse viti i ri shkollor në vjeshtë, për studentët apo nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore, do të jetë me prezencë fizike ose jo, megjithëse kanë theksuar se gjithçka do të varet nga imunizimi i popullatës.
Eva Cvetkovska, kryetare e Kuvendit Studentor në Universitetin e Shkupit, thotë se mundësia që të rinjtë, përmes më shumë mënyrave në internet të informohen nga institucionet relevante botërore në gjuhë të ndryshme, ka bërë që ata të mbështeten në shkencë dhe më pak të jenë dyshues sa i përket marrjes së vaksinës.
Për Radion Evropa e Lirë, ajo bën të ditur se rektorati i Universitetit të Shkupit, tashmë ka marrë dhe një iniciativë për vaksinimin e të gjithë kuadrit mësimor dhe studentëve.
“Tashmë është lëshuar dhe një formular për t'u paraqitur të gjithë të interesuarit për vaksinim dhe menjëherë janë paraqitur më shumë se 3 mijë studentë, që nuk është një numër për t'u nënçmuar, sepse formulari u lëshua në web-faqen tonë në Facebook, faqe të cilën nuk e ndjekin të gjithë 40 mijë studentët e Universitetit Shën Qirili dhe Metodi në Shkup”, thotë Cvetkovska.
Ndryshe, nga dikasteri i shëndetësisë kanë paralajmëruar se masat kufizuese planifikohet të vendosen në shtator, me ç'rast pritet të kufizohet pjesëmarrja e personave të pavaksinuar në manifestime, apo ngjarje të ndryshme, si në ambiente të mbyllura ashtu dhe ato të hapura.
Kjo për arsye se vaksinimi mbetet mënyra e vetme për të frenuar një valë të re të mundshme të koronavirusit, që mund të shfaqet në lloje të ndryshme.
Të rinjtë si kategoria më pak e imunizuar, ka rrezik që më shumë të përhapin variantin Delta
Mikrobiologu Nikolla Panovski, për Radion Evropa e Lirë, thotë se varianti Delta i koronavirusit, më së shumti paraqitet te të rinjtë, për një arsye të vetme, për shkak se kjo grupmoshë, është më pak e imunizuar.
Ai nënvizon se ana e mirë e gjithë kësaj është se ky lloj i virusit, Delta pra, te të rinjtë kalon me simptoma më të lehta kundrejt variantit britanik.
Panaovski thekson se tani duhet vënë theksi te të rinjtë, pasi bëhet fjalë për popullatën, e cila është më e lëvizshme dhe më pak i respekton masat për frenimin e koronavirusit, pasi gjatë verës organizohen dhe më shumë ahengje ku frekuentojnë të rinjtë.
“Gjithsesi, ata që janë më aktivë, ata e përhapin koronavirusin. Këtu fjalën e kam për të rinjtë, të cilët e rrezikojnë veten, por me bartje të virusit i rrezikojnë edhe të moshuarit në rrethin e tyre. Vaksina mbetet kura e vetme e kësaj gjendjeje, andaj nevojiten sa më shumë fushata në këtë drejtim”, thotë Panovski.
Më Maqedoninë e Veriut, deri të premten (16 korrik), 428,081 e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit të ri, përderisa 496 mijë e 228 qytetarë kanë aplikuar për të marrë termin që të vaksinohen.
Për të përshpejtuar procesin e vaksinimit në Maqedoninë e Veriut, nga kjo javë, autoritetet shëndetësore kanë hapur disa pika mobile vaksinimi në terren, ku qytetarët mund të vaksinohen, pa caktuar paraprakisht termin në aplikacionin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Facebook Forum