Ndërlidhjet

Të paktën 62 të vdekur nga përmbytjet në Spanjë


Një grua i shikon nga ballkoni i saj veturat e grumbulluara në një rrugë gjatë përmbytjeve në Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024.
Një grua i shikon nga ballkoni i saj veturat e grumbulluara në një rrugë gjatë përmbytjeve në Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024.

Të paktën 62 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet si pasojë e shirave të rrëmbyeshme të martën në rajonin lindor të Spanjës, Valencia, njoftuan autoritetet të mërkurën.

Shirat e rrëmbyeshme gjatë ditës së martë bënë që rrugë dhe qytete të përmbyten. Pamje të publikuara në rrjetet sociale shfaqën njerëz që kanë ngecur si pasojë e përmbytjeve, disa prej të cilëve duke u ngjitur në pemë.

“Për ata që ende kërkojnë të dashurit e tyre, e gjithë Spanja është me ju”, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në një fjalim televiziv.

“Fshatrave dhe qyteteve të shkatërruara nga kjo tragjedi u them të njëjtën gjë: Së bashku do t'i rindërtojmë rrugët, sheshet, urat tuaja”, tha ai.

Carlos Mazon, shefi rajonal i Valencias, tha për shtyp se disa njerëz kanë mbetur të ngujuar në vende jo të qasshme.

“Nëse [shërbimet emergjente] nuk kanë mbërritur, nuk është si pasojë e mungesës së mjeteve, por për shkak të qasjes”, tha Mazon, duke shtuar se arritja në disa zona është “plotësisht e pamundur”.

Njerëz duke ecur në një rrugë të përmbytur në Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024.
Njerëz duke ecur në një rrugë të përmbytur në Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024.

Shërbimet emergjente në rajon u bënë thirrje qytetarëve ta shmangin udhëtimin rrugëve dhe u kërkuan t’i përcjellin përditësimet shtesë nga burimet zyrtare.

Transporti me tren në qytetet Madrid dhe Barcelonë është anuluar për shkak të vërshimeve, ndërsa shkollat dhe shërbimet e tjera thelbësore janë pezulluar në zonat më të goditura.

Instituti Meteorologjik i Spanjës, AEMET, shpalli alarm të kuq në Valencia.

Duket se ky është numri më i madh i të vdekurve në Evropë nga përmbytjet që prej vitit 2021, kur gati 200 njerëz vdiqën, kryesisht në Gjermani.

Shkencëtarët thonë se fatkeqësitë natyrore në rajon po shpeshtohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, e cila e rrit avullimin e ujit, bën që shirat e rrëmbyeshme të jenë shumë më të mëdha.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG