Ndërlidhjet

Të bërit biznes sfidohet nga burokracia dhe moszbatimi i ligjeve


Një fabrikë e tekstiliti në Dragash. Foto nga arkivi
Një fabrikë e tekstiliti në Dragash. Foto nga arkivi

Bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore, “Të bërit biznes” për vitin 2019, Kosova vlerësohet se ka shënuar një rënie krahasuar me vitet paraprake, në të cilat kryesisht ishte vlerësuar se kishte shënuar përparime.

Në raportin e fundit, Banka Botërore e renditë Kosovën katër pozita më poshtë, përkatësisht nga vendi i 40-të në 44, nga gjithsej 190 shtete sa kanë qenë të përfshira në raport.

Ndër vite, Kosova ka shënuar përparime në të bërit biznes. Në vitin 2014, Kosova ishte ranguar në pozitën e 86-të, për të arritur përmirësim në vitin 2015 në vendin e 75-të. Një vit më vonë, Kosova ishte radhitur në vendin e 66-të, kurse në vitin 2017, Kosova kishte arritur në pozitën e 60-të.

Gjatë këtyre katër – pesë viteve të fundit, përparimet e konsiderueshme, sipas raporteve të Bankës Botërore, Kosova i ka shënuar në disa indikatorë siç janë, hapja apo fillimi i një biznesi duke lehtësuar procedurat, pastaj në marrjen e kredive, por edhe në përfundimin e një biznesi.

Por, njohja e përparimit të Kosovës në fushën e të bërit biznes nga ana e Bankës Botërore, nuk lë shumë hapësirë për eufori, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe pronarë të bizneseve. Sipas tyre, në realitet ka shumë procedura burokratike dhe probleme tjera bazike me të cilat ballafaqohen bizneset.

Pronari i kompanisë përpunuese të mishit, “Meka”, Burim Pirraj, tregon për Radion Evropa e Lirë, se procedurat burokratike dhe mosnjohja e ligjeve nga zyrtarët lokalë dhe qendrorë, po sfidon zbatimin e ligjeve.

“Ligjet janë të mira, por jo të gjitha. Është e vërtet se për të përcjellë procedurën ligjore në Kosovë duhet të kesh nerva dhe kohë të gjatë. Burokracia është jashtëzakonisht e madhe në dy aspekte. Aspekti i parë kur zyrtari i caktuar e bën punën pa vullnet dhe nga ana tjetër, ajo që bizneset i pengon shumë është mosdija. Ka shumë zyrtarë të padijshëm që ushtrojnë një funksion e nuk i njohin ligjet adekuate për zyrat që ata i përfaqësojnë”, tha Pirraj.

Edhe Ismet Mulaj, ish-drejtor në Odën Tregtare të Afarizmit në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se indikatorët e Bankës Botërore janë realë. Por, këta indikatorë nuk janë vendimtarë për zhvillimin e biznesit, thekson ai.

Ndër barrierat kryesore në të bërit biznes, ai i përmend sigurimin e tokës, qasjen në energji elektrike, qasjen në infrastrukturë, por edhe mbipopullimin e administratës publike.

“Kosova është në vendin 140-të për qasje në energjinë elektrike dhe energjia elektrike është një nga problemet kryesore për bizneset në vend. Po ashtu, Kosova gjendet në listën e lartë për leje për ndërtim, kurse në raport Kosova është e radhitur në fund të vendeve, sa i përket efikasitet të gjyqësorit”.

“Këta indikatorë realisht ndikojnë më së shumti për një ambient jomiqësor të të bërit biznes”, thotë Mulaj.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shënuar progres në ambientin biznesor, por ka hapësirë për përmirësime.

“Unë mendoj se Kosova ka kushte në kuptimin e të bërit biznes, ka klimë, por më pas ndikojnë shumë faktorë tjerë. Ka ende procedura burokratike, njerëzit presin shumë kohë për një dokument, mirëpo nuk mund të themi se nuk shihen ndryshime pozitive”, tha Hasani.

Sidoqoftë, zyrtarë të Bankës Botërore kanë thënë “se Kosova është duke iu afruar standardeve më të mira të rregullimit të biznesit, por renditja tregon edhe se reformat duhet të lëvizin më shpejt, pasi Kosova duhet të jetë më konkurruese".

Ata kanë thënë se “Banka Botërore mbetet e përkushtuar ndaj përkrahjes për Kosovën që të krijojë kushte për rritje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar nga eksporti dhe gjithëpërfshirëse, çka do t'u sillte qytetarëve të vendit mundësi më të mëdha për një jetë më të mirë".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG