Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni thonë se vendosja e tatimit progresiv personal, përkatësisht ata që marrin pagë më të lartë të paguajnë vlerë më të lartë të tatimit, do të ketë ndikim negativ veçanërisht tek ata qe ushtrojnë profesionet deficitare në Maqedoni siç janë të punësuarit në teknologjinë informative.
Reagimet pasojnë paralajmërimin e ministrit të Financave në Maqedoni, Dragan Tevsdovski, se në prill do të hapet debati rreth reformave tatimore gjegjësisht të tatimohen me 18% të ardhurat e atyre që janë mbi një mijë euro.
Fatmir Bytyçi, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se Qeveria duhet të dalë me një plan të qartë se cilat do të jenë benifitet nga vendosja e tatimit progresiv, në të kundërtën do të ballafaqohet me rezistencë gjatë zbatimit të kësaj mase.
Bytyçi thotë se përderisa vetëm 2% e popullatës në Maqedoni arrin të sigurojë të ardhura mbi 1 mijë euro në muaj, atëherë shtrohet pyetja se cili do të jetë benifiti nga grumbullimi i të ardhurave nga tatimi progresiv.
“Asnjëherë nuk është artikuluar në mënyrë të drejtë se cili është qëllimi dhe cili do të jetë efekti prej tatimit progresiv në kuptimin se sa është vlera monetare që do të sigurohej në buxhet më shumë nga grumbullimi i tatimit progresiv se simulimet e këtilla janë të mundshme dhe të shihet, se këto mjete që do të futen në arkën shtetërore në fakt sa do të sigurojnë të mira publike këto mjete. Mosdefinimi i këtyre qëllimeve në formë precize, sa u përket politikave tatimore, do të prodhoj vetëm pakënaqësi në mes qytetarëve përderisa nuk bëhen të qarta efektet“, konsideron Bytyçi.
Edhe kundrejt kritikave në opinion, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se Qeveria nuk do të heqë dorë nga ky vendim për reformat tatimore, megjithëse ka shtuar se nga debati dhe analizat e përgjithshme, do të vendoset se cili do të jetë pragu nga i cili do të fillonte tatimimi më i lartë.
“Esenca është se duam shoqëri të drejtë dhe korrekte. Nuk mundet ai që merr 10 mijë denarë pagë dhe ai që merr 10 mijë euro pagë të paguajnë tatim të njëjtë“, ka deklaruar gjatë të premtes Zaev.
Përderisa Zoran Ivanovski nga nga Fakulteti Ekonomik në kuadër të Universitetit për Turizëm dhe Menaxhment, vlerëson se aplikimi i tatimit progresiv në këto rrethana, do të rrisë evazionin tatimor, si dhe do të godasë pjesën më të ndjeshme të profesioneve deficitare në Maqedoni, duke çuar në largimin e kuadrove nga vendi siç janë të punësuarit në teknologjinë Informative, mjekët specialistë si dhe arkitektët.
Ivanovski thotë se kjo masë është populiste pa ndonjë efekt të dukshëm pozitiv në ekonominë e vendit sa për të krijuar përshtypje te qytetarët se janë të pasurit paguajnë më shumë në arkën shtetërore.
“Qeveria është deklaruar edhe vetë se kjo masë do të prekë vetëm 2 % të popullatës. Efekti gjithsesi do të jetë negativ sepse qytetarët që i takojnë kësaj kategorie, do të kërkojnë mundësi të tjera për të paraqitur të ardhurat e tyre, gjë që do të çojë dhe në rritjen e evazionit tatimor. Ideja është të përcillet një sinjal apo mesazh do të thosha te shtresat më të varfra, se janë të pasurit ata që paguajnë më shumë në arkën shtetërore që më pas të kthehen si të mira të përgjithshme për të gjithë qytetarët”, thotë Ivanovski.
Pas paralajmërimit nga ana e Qeverisë për aplikimin e tatimit progresiv kanë reaguar edhe nga Oda për Teknologji Informatike duke kërkuar që të mos shpejtohet me rritjen e tatimit progresiv pasi kjo mund të kontribuojë në largimin e kuadrove nga sfera e IT-së.
Facebook Forum