Ndërlidhjet

“Shtrembërimi i së vërtetës”: Talibanët synojnë të përmirësojnë imazhin përmes turizmit


Një turist gjerman duke biseduar me banorët lokalë dhe me zyrtarët talibanë në provincën Panjshir në veri të Afganistanit.
Një turist gjerman duke biseduar me banorët lokalë dhe me zyrtarët talibanë në provincën Panjshir në veri të Afganistanit.

Politikat shtypëse të talibanëve dhe shkeljet e gjëra të të drejtave të njeriut e kanë bërë qeverinë e tyre – që nuk njihet ndërkombëtarisht – të padëshirueshme në mbarë botën.

Për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar, grupi islamist i linjës së ashpër ka tentuar që të joshë turistët e huaj që të vizitojnë Afganistanin, shtet ku dhuna ka rënë ndjeshëm që kur talibanët morën pushtetin më 2021.

Por, edhe pse talibanët po synojnë të përfitojnë nga propaganda dhe përfitimet financiare nga vizitorët e huaj, kufizimet e gjera të grupit për lëvizjen e afganëve, veçmas të grave, kanë ngufatur rritjen e industrisë lokale të turizmit.

“Talibanët promovojnë turizmin sepse ka një avantazh të madh propagandistik për qeverinë e tyre”, tha Sami Yousafza, gazetar veteran afgan dhe komentator që ndjek zhvillimet rreth talibanëve.

“Talibanët duan të përfitojnë nga interesi në turizëm për të paraqitur një imazh pozitiv për shtetin që sundojnë”, shtoi ai.

Numri i turistëve që vizitojnë Afganistanin është rritur në mënyrë të vazhdueshme viteve të fundit. Më 2021, Afganistanin e kishin vizituar 691 turistë. Më 2022, numri u rrit në 2.300. Vitin e kaluar, numri i turistëve ishte 7.000, sipas zyrtarëve talibanë.

Turistët e huaj tërhiqen nga historia e lashtë e vendit dhe nga peizazhet piktoreske. Turistët kinezë e përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve. Linjat e mëdha ajrore ndërprenë fluturimet për në Afganistan pas vitit 2021, por shumë nga to kanë rinisur fluturimet.

Militantët talibanë duke bërë roje para hyrjes në vendin ku më parë gjendej një statujë e Budës së Bamijanit, që u shkatërrua nga talibanët më 2001.
Militantët talibanë duke bërë roje para hyrjes në vendin ku më parë gjendej një statujë e Budës së Bamijanit, që u shkatërrua nga talibanët më 2001.

Zyrtarët talibanë po ashtu janë të prirë që të theksojnë se turizmi i huaj po ashtu ofron shtysë financiare për afganët, shumica e të cilëve po luftojnë për mbijetesë për shkak të nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë në rritje.

Por, industria në zhvillim e turizmit në Afganistan përballet me sfida të mëdha.

Vizat janë të shtrenjta dhe vështirë merren. Shumë shtete kanë ndërprerë raportet me Afganistanin, pasi talibanët morën pushtetin. Asnjë shtet në botë nuk e njeh regjimin taliban. Shumë ambasada afgane, veçmas në Perëndim, janë mbyllur apo kanë pezulluar operacionet e tyre.

Dhe, talibanët zgjedhin se kujt i japin viza. Gazetarëve të huaj dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut u ndalohet hyrja dhe puna në Afganistan.

Edhe nëse kanë vizë, turistët e huaj duhet të pajisen me një leje me shkrim nga talibanët për të vizituar pikat turistike dhe për të shkrepur fotografi apo incizuar video të ndërveprimeve të tyre me afganët dhe luftëtarët talibanë.

Siguria po ashtu është një shqetësim. Grupi ekstremist, Shteti Islamik-Korasan (IS-K), rival i talibanëve, vrau gjashtë turistë të huaj dhe lokalë në qytetin Bamijan në maj.

Edhe në të kaluarën, militantët e IS-K kishin shënjestruar të huajt dhe ambasadat në Afganistan.

Parku Kombëtar i Afganistanit, Band-E-Amir.
Parku Kombëtar i Afganistanit, Band-E-Amir.

“E errët dhe e zymtë”

Talibanët po ashtu po synojnë të shfrytëzojnë pasqyrimin e lulëzuar të shtetit në video dhe fotografi që janë realizuar nga turistët e huaj, përfshirë nga personat që kanë llogari në YouTube.

“Talibanët e dinë se këta persona që merren me YouTube nuk janë të interesuar që të nxisin polemika”, tha Yousafzai. “Prandaj, ata planifikojnë t’i dërgojnë këta persona në vende nga ku ata mund të bëjnë raportime ‘pozitive’”.

Shumë video në YouTube, që janë realizuar nga turistët e huaj, shfaqin talibanët në aspektin pozitiv dhe i paraqesin ata si mikpritës. Videot po ashtu vënë në pah sigurinë relative në shtet dhe sugjerojnë se afganët janë të lumtur nën sundimin taliban.

Talibanët, që gjithnjë e më shumë po rrisin praninë e tyre në rrjetet sociale, shpesh promovojnë këto video në platforma të ndryshme.

Grupi militant po ashtu ka bërë përjashtime për turistet e huaja, duke i lejuar ato që të vizitojnë vendet historike dhe parqet kombëtare, vende ku gratë afgane nuk mund të shkojnë.

Talibanët kanë vendosur kufizime të ashpra sa i përket dukjes, sjelljes dhe lëvizjes të grave. Grupet për të drejtat e njeriut i kanë përshkruar këto kufizime të vendosura nga talibanët si aparteid gjinor.

“Kjo është e rrezikshme dhe është shtrembërim i së vërtetës”, tha Nazifa Haqpal, hulumtuese afgane me bazë në Britani.

Afganët duke bërë "selfie" pranë Pallatit të renovuar Darul Aman në Kabul.
Afganët duke bërë "selfie" pranë Pallatit të renovuar Darul Aman në Kabul.

“E vërteta nën sundimin mizor të talibanëve është e errët, e zymtë dhe e shëmtuar”, tha ajo. “Për dallim nga gazetarët, personat që merren me YouTube nuk janë të detyruar që t’i përmbahen parimit të paanësisë apo etikës profesionale, gjë që e bën më të lehtë për talibanët që t’i manipulojë ata”.

Disa gra afgane thanë se turistët e huaj po manipulohen nga talibanët dhe nuk po e pasqyrojnë dhimbjen e tyre.

“Kushtet për ne po përkeqësohen çdo ditë”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë, Arezo, një grua e re nga provinca Bamijan.

Edhe përderisa talibanët po tentojnë të joshin të huajt, kufizimet e vendosura nga grupi po parandalojnë rritjen e turizmit lokal.

Vitin e kaluar, talibanët ua ndaluan grave që të vizitojnë Band-e Amir, park kombëtar në Bamijan. Ky park, që ka liqene me ujë të pastër si kristali dhe rrethohet nga shkëmbinj, është një prej pikave më popullore turistike në Afganistan.

Talibanët “po mohojnë të drejtat më themelore për gratë afgane”, tha Arezo.

“Fatkeqësisht, grave afgane talibanët ua ndalojnë turizmin dhe kohën e lirë”, tha për Radion Azadi, Zala, një grua nga Kabuli.

“Ne na ndalohet që të shijojmë bukuritë natyrore dhe vendet historike të atdheut tonë të lashtë”, shtoi ajo.

Në vitet e fundit, militantët ua kanë ndaluar grave afgane që të përdorin palestrat dhe të vizitojnë hamamet dhe parqet e qytetit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG