Gratë e humbin vlerën nëse burrat mund t’ua shohin fytyrat e pambuluara në publik, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së talibanëve për Vesin dhe Virtytin, Molvi Mohammad Sadiq Akif.
Sipas tij, studiuesit fetarë në Afganistan pajtohen se një grua duhet ta mbajë mbulesën kur të dalë jashtë shtëpisë.
Talibanët, të cilët e kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021, kanë thënë se gratë janë fajtore pse u është ndaluar qasja në hapësira publike, sepse ato kanë dështuar që ta respektojnë siç duhet vendimin për vendosje të hixhabit.
Akif ka thënë të enjten për agjencinë e lajmeve Associated Press se, nëse fytyra e grave shfaqet në publik, ekziston mundësia e mëkatit.
“Është shumë keq të shohësh një grua pa hixhab dhe shkencëtarët fetarë, po ashtu, pajtohen që fytyra e gruas duhet të jetë e mbuluar”, ka thënë Akif.
“Nuk do të thotë se fytyra e tyre do të dëmtohet. Gruaja e ka vlerën e vet dhe ajo vlerë ulet kur burrat e shikojnë”.
Tim Winter, i cili është ligjërues për çështje fetare në Universitetin Cambridge, ka thënë se nuk ekziston asnjë obligim me shkrim në Islam për mbulesën në fytyrë.
Sipas tij, talibanët do ta kenë të vështirë që të gjejnë diçka në shkresat fetare që e mbështet interpretimin e tyre për hixhabin.
“Emri i tyre tregon se ata nuk janë ekspertë të lartë të fesë”, ka thënë ai për AP-në.
“Emri taliban do të thotë student”.
Kufizimet që u kanë vënë talibanët vajzave dhe grave në Afganistan kanë nxitur zemërim global, përfshirë edhe nga disa vende me shumicë myslimane.
Talibanët kanë thënë se raportimet për trajtimin e grave në Afganistan janë propagandë e organizatave ndërkombëtare.
Ata kanë thënë se i kanë forcuar të drejtat e grave, në linjë me parimet e Islamit.