Ndërlidhjet

‘Talibanët hebrenj’ lëshojnë Bosnjën


Një shtetas i huaj në Sarajevë, i cili dyshohet se është anëtar i kultit Lev Tahor. 28 janar 2022.
Një shtetas i huaj në Sarajevë, i cili dyshohet se është anëtar i kultit Lev Tahor. 28 janar 2022.

Autoritetet e Bosnjës nuk kanë treguar aq mirëseardhje për dhjetëra anëtarë të një sekti hebre, tejet fundamentalist, që ka rënë në telashe në shumë vende të botës.

Kjo është goditja e fundit ndaj një grupi të vogël që lëviz vazhdimisht, refuzon jetën modern, ka stil të rreptë të jetesës dhe supozohet se abuzon me gratë dhe vajzat.

Të gjitha këto elemente u kanë dhënë anëtarëve të këtij grupi pseudonimin e “talibanëve hebrenj” në mesin e disa izraelitëve.

Tridhjetë e shtatë nga 200-300 pjesëtarë të grupit Lev Tahor në gjithë botën, besohet se kanë arritur në Bosnje në nëntor të vitit 2021, ku kanë jetuar nën vëzhgimin e fqinjëve dhe zyrtarëve tjerë lokalë.

Asnjëri prej banorëve tjerë të Illixhës, vend në lindje të Sarajevës – pjesë e Republikës Sërpska në Bosnjë – as autoritetet, nuk kanë sugjeruar për ndonjë keqbërje nga të ardhurit, të cilët është raportuar se kanë arritur në këtë shtet me viza tremujore.

Mirëpo, ministri për të Drejta të Njeriut dhe Refugjatë, Millosh Lluçiq, ka njoftuar më 1 shkurt se 24 anëtarë të grupit fetar hebre do të largohen nga ky shtet më 5 shkurt dhe pjesa tjetër do të largohet më 20 shkurt.

“Sipas informacioneve të fundit, ky grup fetar është duke kërkuar aktualisht për një destinacion të ri dhe transport”, ka thënë Lluçiq përmes një deklarate.

“Kam marrë garanci se ata nuk përbëjnë kërcënim për komunitetin lokal dhe deri më tani nuk është raportuar për incidente”.

Pjesëtarë të grupit Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.
Pjesëtarë të grupit Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.

Më 3 shkurt, Shërbimi për Çështjet e të Huajve të Bosnjës ka njoftuar se anëtarët e grupit janë nisur drejt Malit të Zi.

Grupi Lev Tahor dhe ish-lideri i tij janë akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.

Anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.

Shumica prej tyre janë larguar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Guatemala dhe Meksika, pas dyshimeve dhe bastisjeve të ndryshme.

Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.

Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi.

Vëzhgimet nga fqinjët dhe zyrtarët

Kryetari i Illixhës Lindore, Marinko Bozhoviq, ka thënë për transmetuesin zyrtar të Republikës Sërpska, se do të bëjë gjithçka që mundet për t’u siguruar se anëtarët e grupit Lev Tahor do të largohen të sigurt nga komuniteti ku po jetojnë.

Fqinjët në Illixha, të cilët nuk kanë dashur të citohen në këtë material, kanë shprehur shqetësim të thellë te një korrespodent i Radios Evropa e Lirë, duke thënë se Lev Tahor mund të jetë i rrezikshëm.

Mirëpo, ata kanë thënë se të rinjtë i kanë parë vetëm duke u lutur, dhe duke hyrë apo dalë nga dyqanet lokale.

Në Illixha, më 28 janar, një nga anëtarët e grupit, një amerikan, emri i parë i të cilit është Moshe, ka ecur në rrugët me borë në lindje të Sarajevës duke u ofruar bonbone fëmijëve. Të gjithë e kanë refuzuar.

Një shtetas i huaj në Sarajevë, i cili dyshohet se është anëtar i grupit Lev Tahor. 28 janar, 2022.
Një shtetas i huaj në Sarajevë, i cili dyshohet se është anëtar i grupit Lev Tahor. 28 janar, 2022.

Moshe i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është hebre dhe nuk ka pranuar të deklarohet nëse është anëtar i grupit Lev Tahor.

Asnjë prej grupit të Moshes duket se nuk ka kontaktuar me liderët lokalë hebrenj lidhur me shkuarjen e tyre në njërin prej vendeve me ndasitë më të mëdha në Ballkan.

“E di kush janë (në bazë të raportimeve në media)”, ka thënë Igor Kozemjakin, nga Sinagoga e Sarajevës për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, “mirëpo askush nuk na është lajmëruar, ndonëse është traditë për grupet hebreje që gjithmonë të na kontaktojmë kur të arrijnë në Sarajevë, pavarësisht nga cili rajon nisen”.

Ai ka vënë theksin te numri i tyre i vogël dhe mënyrat e rralla të “interpretimit të Torës”.

“Ata nuk duhet të jenë kërcënim për askënd, të gjithë mund të pajtohemi për këtë”, ka thënë Kozemjakin.

“Ata as nuk duan të afrohen apo të komunikojnë më të tjerët”.

Mirëpo, kritikët kanë akuzuar udhëheqësinë e Lev Tahorit për nxitje cinike të një kulti dhe lejimit të martesave të fëmijëve.

‘Anëtarët vuajnë’

Aktivistë për të drejta të njeriut kanë dënuar historikisht praktikat e Lev Tahorit, duke tentuar t’i bindin anëtarët e rinj të braktisin praktikat që dikush tjetër t’ua kontrollojë jetët.

“Ky është kult që përfshin anëtarët e tij në kushte jonjerëzore”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Marci Hamilton, drejtor i Institut joprofitabil, Child USA, i cili punon për t’i dhënë fund abuzimit me fëmijë.

“Pjesëtarët e tyre vuajnë – sidomos gratë dhe fëmijët. Ata kanë ikur nga një shtet në tjetrin për t’iu shmangur ligjeve që mbrojnë fëmijët”, ka thënë Hamilton, profesor në Universitetin e Pensilvanisë, i cili ka analizuar aktivitetet e Lev Tahorit me vite.

Fati i këtij grupi i pasigurt prej kur themeluesi, Shlomo Helbrans, është përmbytur në një lumë në Meksikë më 2017.

Një burrë duke u ofruar portokaj fëmijëve të komunitetit hebre në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.
Një burrë duke u ofruar portokaj fëmijëve të komunitetit hebre në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.

Ai është raportuar se ka vdekur gjatë marrjes së abdesit.

Autoritetet amerikane kanë dyshuar për abuzime që përfshijnë rrëmbimin dhe martesat e fëmijëve me pjesëtarë më të vjetër të grupit Lev Tahor.

Pasardhësi i supozuar i Helbransit, djali i tij, Nachman Helbrans, dhe një toger, janë dënuar vitin e kaluar për krijimin e një skeme për të kidnapuar një 14-vjeçare dhe për shtyrjen drejt një “marrëdhënieje seksuale me burrin e saj më të rritur”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hedhur dyshime në një konferencë për media se nga vajzat e mitura është pritur që “të kryejnë marrëdhënie seksuale me burrat e tyre, që t’iu thonë njerëzve jashtë grupit Lev Tahor se nuk janë të martuara, të pretendojnë se janë më të rritura në moshë dhe të lindin fëmijë në shtëpi dhe jo nëpër spitale, kryesisht për të fshehur moshën e re”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG