Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sveçla tha gjatë një konference për media të dielën në jug të Mitrovicës se mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.
“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilët i kemi konfiskuar”, tha Sveçla të dielën.
Ai tha se sulmuesit planifikonin ta hapnin "një kanal të gjatë nëntokësorë" nga Banjska deri në Serbi, për "furnizime nga shteti serb".
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se grupi që e kreu sulmin në Banjskë ishte trajnuar për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe.
“Plani i [sulmuesve] ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi, të cilat nuk mund t’i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimit të veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitet tona policore, jo vetëm në Banjskë e Zveçan por në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë për Serbi dhe furnizimet tjera me njerëz, materiale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në vend”, tha Hoxha.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, kanë paralajmruar për 2 tetor konferencë për media për t’iu përgjigjur deklaratave të ministrit Sveçla, të cilat i kanë cilësuar si “gënjeshtra”.
Hetimi vazhdon
Hoxha tha se Policia e Kosovës është ende duke e vazhduar hetimin në veri edhe një javë pas sulmit vdekjeprurës.
Sveçla tha se një sasi armatim të ri u gjet në Banjskë edhe të dielën. Policia kishte konfiskuar tashmë sasi të mëdha armatimi në ditët pas sulmit.
Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Hoxha njoftoi se është duke u hetuar edhe Kisha Ortodokse dhe manastiri “për të parë rolin e tyre të mundshëm në sulm apo nëse e kanë ndihmuar grupin terrorist”.
“Objektivat tona janë shumë të qarta, manastiri duhet të ruhet me çdo kusht dhe policia duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprime ndaj manastirit dhe personelit të tij”, tha Hoxha.
Hoxha tregoi se gjatë operacionit “tonë brenda manastirit u gjetën 49 persona civilë, 43 pelegrinë dhe gjashtë personel, asnjëri nga këta nuk është dëmtuar apo keqtrajtuar.”
Radoiçiqi s’është fajtori kryesor
Të premten, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se “brenda 24 orëve” ai do t'ia paraqesë publikut “provat dhe tregimet e dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes” gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Në një video të publikuar në Instagram, ai ka theksoi se “Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta për atë që ndodhi në Banjskë”, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.
Por, Sveçla tha se barrën kryesore për sulmin në veri e bart presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë.
“Së pari Radoiçiqi nuk është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm, e as kryesori. Tashmë dihet se tentim-aneksimi u bë nga ana e presidentit të Serbisë, nga ministri i Mbrojtjes i tij dhe nga shefi i Shtabit [të ushtrisë serbe], do të thotë ata janë përgjegjësit, e ky është ekzekutori”, tha Sveçla.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “jo vetëm ta dënojë, por edhe ta sanksionojë një shtet terrorist si ky.”
I pyetur për ekstradimin e Radoiçiqit, Sveçla tha se do të kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve dhe la të kuptohet se ata mund të gjykohen në mungesë nga autoritetet kosovare.
“Unë besoj se drejtësia do të vihet në vend herët a vonë. Na tash e kemi edhe mundësinë ligjore për t’i dënuar në mungesë këta terroristë. Mendoj se tash kemi dëshmi”, shtoi ai.