Sulme të reja ajrore kanë goditur Kievin dhe qytetet tjera ukrainase të martën, duke shënuar ditën e dytë me radhë që shënjestrohen zonat e banimit dhe infrastruktura energjetike, kanë thënë zyrtarët dhe dëshmitarët.
Kyrylo Tymoshenko, zëvendësudhëheqës i Presidencës ukrainase, ka thënë se janë regjistruar tri sulme ruse në një objekt të energjisë në veri të Kievit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se sulmi është kryer në “infrastrukturën kritike” dhe se punëtorët e energjisë janë duke shkuar në vendin e sulmit.
Trupat ruse kanë bombarduar edhe objektet në Dnjipro, Zhitomir si dhe në Harkiv.
Shpërthimet janë dëgjuar edhe në Mikollaiv, kanë thënë zyrtarët lokalë, një ditë pasi Rusia ka nisur një valë sulmesh me dronë kamikazë, duke lënë të vdekur të paktën shtatë persona.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për krime të luftës.
Inteligjenca britanike ka thënë më 18 tetor se ka identifikuar dronët e përdorur nga Rusia dhe se ata janë të prodhuar nga Irani.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë më 17 tetor që më shumë se 100 dronë të tillë kanë goditur Ukrainën në javën e kaluar, duke goditur stacionet e energjisë, urat dhe objekte tjera.
“Një e treta e infrastrukturës ukrainase të energjisë është prekur”, është thënë në deklaratë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje më 17 tetor që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione ndaj Iranit për furnizimet me dronë për Rusinë.
Më 17 tetor, Irani ka hedhur poshtë deklaratat për furnizim të Rusisë me dronë, derisa Kremlini nuk është deklaruar në këtë temë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.