Ndërlidhjet

Sulmet godasin Bejrutin pas urdhrit izraelit për evakuim


Shtëllungë tymi në periferi të Bejrutit, pas një sulmi ajror izraelit më 15 nëntor 2024.
Shtëllungë tymi në periferi të Bejrutit, pas një sulmi ajror izraelit më 15 nëntor 2024.

Sulmet ajrore kanë goditur periferitë jugore të kryeqytetit libanez më 15 nëntor, pasi ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve që të evakuohen.

Agjencia kombëtare e lajmeve në Liban (NNA) tha se një dron izraelit lëshoi dy raketa në Gobeir, në periferi të Bejrutit dhe më pas forcat ajrore kryen një sulm “shumë të rëndë” ajror që rrafshoi një ndërtesë afër zyrave komunale.

Urdhri për evakuim u publikua në X nga zëdhënësi i ushtrisë Izraelite, Avichay Adreee, i cili u tha banorëve që të largohen dhe i paralajmërojë se do të kishte sulme të menjëhershme.

“Të gjithë banorët në periferitë jugore, veçmas në zonën e Gobeirit, ju gjendeni afër ndërtesave dhe interesave që lidhen me Hezbollahun”, shkroi Adraee, duke iu referuar grupit militant libanez dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

“Për sigurinë tuaj dhe të anëtarëve të familjes suaj, ju duhet të evakuohen nga këto ndërtesa dhe ndërtesat aty pranë”, shtoi ai.

Në postimin e Adraee kishte edhe harta të ndërtesave në zonën afër shkollës së mesme Bustan.

Sulmet e vazhdueshme ajrore izraelite në jug të Bejrutit kanë nxitur një eksod masiv të civilëve nga bastioni i Hezbollahut, edhe pse disa prej tyre kthehen gjatë ditës për të kontrolluar shtëpitë e tyre.

NNA-ja po ashtu raportoi se para agimit ka pasur sulme në qytetin jugor të Nabatiehut.

Ushtria izraelite tha se të enjten ka shënjestruar “qendrat komanduese” të Forcave elite Radvan të Hezbollahut dhe raketahedhësit që janë përdorur për të kryer sulme kundër Izraelit.

Ushtria tha se në ditën paraprake, forcat ajrore sulmuan mbi 120 caqe në mbarë Libanin, përfshirë depo të armëve, qendra komanduese dhe një numër të madh të raketahedhësve.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në tetor të vitit të kaluar.

Por, që nga shtatori i këtij viti Izraeli ka intensifikuar fushatën e tij ajrore në Liban dhe më pas ka nisur edhe një ofensivë tokësore në Liban kundër Hezbollahut.

Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Autoritetet libaneze thanë se më shumë se 3.380 persona janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi këmbimi i zjarrit mes Hezbollahut dhe Izraelit.

Konflikti i ka shkaktuar Libanit më shumë se 5 miliardë dollarë humbje ekonomike, teksa dëmet materiale konsiderohet se arrijnë në miliarda dollarë, tha Banka Botërore të enjten.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG