Ndërlidhjet

Suksesi i Kosovës në futboll, “motivon” investimet për klubet e Superligës


Stadiumi "Fadil Vokrri"
Stadiumi "Fadil Vokrri"

Suksesi i Përfaqësueses së Kosovës në garat evropiane të futbollit nga autoritetet lokale dhe qendrore është parë si motivim dhe inkurajim shtesë, për investime në këtë sport.

Rreth 60 klube seniore garojnë në tri kategoritë e futbollit në Kosovë. Prej tyre 12 janë klube elitare të Superligës, ndërsa të tjerat konkurrojnë në Ligën e Parë dhe të Dytë.

Ndërsa, në të gjitha kategoritë dhe grup-moshat në futbollin kosovar, garojnë më shumë se 120 klube.

Këto klube, ndeshjet i zhvillojnë në rreth 60 stadiume dhe fusha të futbollit të madh, aq sa është numri i përgjithshëm i tyre në gjithë Kosovën.

Prej tyre, vetëm dy i plotësojnë kriteret dhe standardet e Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA.

Sipas standardeve të shtëpisë evropiane të futbollit, stadiumi “Fadil Vokrri” në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, është stadium i kategorisë së katërt - ku lejohen të gjitha ndeshjet ndërkombëtare, ndërsa ai “Adem Jashari”, në Mitrovicë, i kategorisë së dytë, ku lejohen ndeshjet ndërkombëtare vetëm për grup-moshat e reja dhe futbollin e femrave.

Këtë vit, Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim edhe me disa komuna, kanë nisur projektin për ndërtimin e 12 fushave ndihmëse me bar sintetik – për po aq klube të Superligës, 6 prej të cilave janë në fazën përfundimtare ose janë përuruar.

Nga ky investim trepalësh, që arrin vlerën e tre milionë eurove, parashihet të përfitojnë 10 qytete: Prishtina, Prizreni, Peja, Mitrovica, Gjilani, Podujeva, Skenderaj, Drenasi, Gjakova dhe Vitia.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Infrastruktura sportive e klubeve kosovare
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Në kohën kur Kombëtarja e Kosovës në futboll po shënon rezultate pozitive, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky sukses ka rritur entuziazmin edhe te pushtetarët – duke rritur edhe bashkëpunimin me nivelin qendror dhe lokal, për përmirësimin e infrastrukturës.

“Janë rreth 60 fusha për futbollin e madh, duhet shtuar këtu edhe 12 fushat sintetike që jemi duke i bërë - 6 prej tyre tashmë janë në fazën përfundimtare. Kështu që ngadalë, po flas për nivelin kombëtar, garat vendore po përmirësohet. Ndërsa për garat ndërkombëtare, dihet që stadiumi i Prishtinës është i vetmi, momentalisht, që lejon zhvillimin ndeshjeve të Përfaqësueses A të Kosovës, ndërsa stadiumi i Mitrovicës, për grup-moshat U21 dhe femrat”, tregon Salihu.

Sipas tij, në disa prej qyteteve tashmë projekti ka përfunduar ose është në prag të finalizimit.

“E kemi përuruar fushën në Gjilan, pastaj është në fazën përfundimtare në Mitrovicë, në Skënderaj është përuruar. Në Prishtinë do të jenë edhe dy fusha të tjera,pastaj në Pejë, Prizren etj”, shton ai.

Salihu thekson se Federata nuk është e obliguar dhe e ka të ndaluar të shpenzojë buxhetin e saj për t’u ndihmuar klubeve në përmirësimin e infrastrukturës, por shton se ndihma ka ardhur falë kërkesës së saj tek UEFA, që t’u ndihmojë klubeve për shkak të gjendjes jo të mirë infrastrukturore dhe financiare.

Ndërsa, shton se ata janë të detyruar që, nga viti në vit, të rrisin kriteret infrastrukturore për klubet e Superligës, me qëllim të përmirësimit gradual të gjendjes.

“Do të ketë kushte shtesë nga viti në vit, gjithsesi, Komiteti Ekzekutiv do të ketë takime të shumta, sepse jemi në fazën fillestare të hartimit të një strategjie afatmesme deri në vitin 2024, sigurisht se aty do të përfshihet çështja e kritereve për infrastrukturë për ekipet elitare, të Superligës, sigurisht që kriteret do të ashpërsohet, sepse futbolli tanimë kur po marrim pjesë në gara ndërkombëtare, duhet të ketë nivel infrastrukturor”, bën të ditur sekretari i shtëpisë kryesore të futbollit kosovar, Salihu.

Kushtëzimin e klubeve për përmirësimin e infrastrukturës e vlerëson si të nevojshëm, njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar dhe gazetari i sportit, Bujar Mehmeti. Me gjithë vështirësitë, sipas tij, përmirësimi i gjendjes është i domosdoshëm.

Federata e Futbollit e Kosovës, ka reaguar më në fund dhe e ka dhënë një ultimatum për të gjitha klubet e Superligës, 12 klubet e Superligës, që deri në vitin 2020 duhet të kenë stadiume të kategorisë së dytë të UEFA-s. Në klubet e Kosovës ka skuadra, stadiumet e së cilavenuk i plotësojnë kushtet as për Ligën e Parë, që është kategoria e dytë e futbollit (në Kosovë)”, thekson Mehmeti.

Ai e vlerëson pozitivisht projektin për ndërtimin e 12 fushave ndihmëse me bar sintetik, por beson se investimet në stadiume janë më të nevojshme.

“Kjo është një zgjidhje e mirë, është e nevojshme, u ndihmon skuadrave. Mirëpo, më shumë e nevojshme do të ishte të mendohet edhe për stadiume të secilës skuadër. 12 skuadra ndoshta janë shumë në Superligë, mirëpo do të mjaftonte 8 apo 10, mirëpo edhe këto 8 apo 10 skuadra të kenë stadiumet e tyre, që zgjidhja gjithsesi do të ishte më e mira kjo, një bashkëpunim ndërmjet federatës, ministrisë dhe komunave, që deri tani, duke i parë këto fushat me bar sintetik po duket se më në fund po jep fryt”, shton ai.

Duke folur për ndeshjet e klubeve në garat ndërkombëtare, por edhe ato të kombëtares, Mehmeti, thotë se Kosova ka nevojë për një stadium më të madh për kombëtaren.

Këtë, sipas tij, e dëshmon fakti se vetëm për ndeshjen e fundit të Kosovës kundër Azerbajxhanit, e zhvilluar muajin e kaluar në Prishtinë, ka pasur mbi 100 mijë kërkesa për bileta, për të parë ndeshjen në stadiumin “Fadil Vokrri”, që ka vetëm 13 mijë ulëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG