Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këtë javë lëshoi një përkufizim për "COVID-in e zgjatur", një term i përdorur për të përshkruar problemet e vazhdueshme shëndetësore, që prekin disa të mbijetuar nga COVID-19. Shkencëtarët janë ende duke punuar për të kuptuar këtë sindromë, raporton Reuters. Më poshtë, renditen ato që dihen deri më tani.
Si përcaktohet "COVID-i i zgjatur"
OBSH-ja e përcakton se si një gjendje me të paktën një simptomë, që zakonisht fillon brenda tre muajsh që nga fillimi i infeksionit të konfirmuar ose eventual me koronavirus, vazhdon për të paktën dy muaj dhe nuk mund të shpjegohet me ndonjë diagnozë tjetër. Simptomat mund të fillojnë gjatë infeksionit, ose të shfaqen për herë të parë, vetëm pasi pacienti është shëruar nga sëmundja akute.
Ndër simptomat më të zakonshme dhe të vazhdueshme janë lodhja, gulçimi dhe problemet kognitive. Të tjerë persona përfshihen edhe nga dhimbje gjoksi, probleme me aromën ose shijen, dobësi të muskujve dhe palpitacione të zemrës. COVID-i i zgjatur, në përgjithësi, ka ndikim në funksionimin e përditshëm të gjërave.
Përkufizimi i OBSH-së mund të ndryshojë, ndërsa dalin prova të reja, dhe teksa kuptimi i pasojave prej COVID-19 vazhdon të evoluojë. Një përkufizim i veçantë mund të jetë i zbatueshëm për fëmijët, tha OBSH-ja.
Sa i zakonshëm është COVID-i i zgjatur?
Numri i saktë i njerëzve të prekur nuk dihet. Një studim nga Universiteti i Oksfordit, i më shumë se 270,000 të mbijetuarve nga COVID-19, gjeti të paktën një simptomë afatgjatë në 37 për qind prej tyre, me simptoma më të shpeshta tek njerëzit që kishin kërkuar shtrim në spital.
Një studim i veçantë nga Universiteti i Harvardit, i cili përfshin më shumë se 52,000 të mbijetuar nga COVID-19, infeksionet e të cilëve ishin të butë ose asimptomatikë, sugjeron që gjendjet e gjata me COVID mund të prekin më shpesh pacientët nën moshën 65-vjeçare.
Më shumë se 236 milionë infeksione, të shkaktuara nga koronavirusi, janë raportuar deri më tani, sipas një raporti të Reuters-it.
Çfarë tjetër tregojnë studimet mbi simptomat e COVID-it të zgjatur
Në një studim të botuar në Lancet, studiuesit kinezë raportuan se 12 muaj pas daljes nga spitali, 20 deri 30 për qind e pacientëve, që kishin qenë të sëmurë mesatarisht, dhe deri në 54 për qind e atyre që ishin të sëmurë rëndë, ishin akoma me probleme të mushkërive.
Studimi i Harvardit gjithashtu zbuloi se diagnozat e reja të diabetit, dhe të çrregullimeve neurologjike, janë më të zakonshme tek ata me një histori të COVID-19, sesa tek ata që nuk janë infektuar fare.
A shërohen njerëzit nga COVID-i i zgjatur?
Shumë simptoma të COVID-it të zgjatur zgjidhen me kalimin e kohës, pavarësisht nga ashpërsia e sëmundjes fillestare COVID-19. Përqindja e pacientëve, që ende përjetojnë të paktën një simptomë, zbriti nga 68 për qind në gjashtë muaj, në 49 për qind në 12 muaj, sipas studimit të publikuar në Lancet.
OBSH-ja tha se simptomat e zgjatura të COVID-it mund të ndryshojnë me kalimin e kohës ,dhe të kthehen sërish, pasi të kenë treguar përmirësime fillestare.
A ndihmojnë vaksinat e COVID-it kundër COVID-it të zgjatur?
Studime më të vogla kanë sugjeruar se disa njerëz me COVID të zgjatur përjetuan përmirësim të simptomave të tyre, pasi u vaksinuan. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se nevojiten më shumë kërkime, për të përcaktuar efektet e vaksinimit në kushtet pas COVID-it.
Facebook Forum