Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 10 prill se stërvitja ushtarake ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën marrin pjesë edhe anëtarë të aleancës së NATO-s, nuk është precedent, por vazhdimësi e bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili përfiton ushtria serbe dhe kontribuon në përmirësimin e aftësive të saj operuese.
“Theksojmë se interpretimet e deputetit (të lëvizjes së djathtë Dveri, Borko) Pushkiq në lidhje me gjoja braktisjen e politikës së neutralitetit ushtarak në kuadër të stërvitjes 'Ujku i Platinit', si dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare të kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe me partnerë të huaj, nuk janë as të sakta dhe as adekuate”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Më herët, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar më 4 prill se stërvitja “Ujku i Platinit” do të mbahet në jug të Serbisë, në mes të qershorit, në të cilën do të marrin pjesë ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbisë dhe dhjetë vendeve partnere.
Më 10 prill, lëvizja e djathtë Dveri i bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, të anulojë stërvitjen e paralajmëruar ushtarake ndërkombëtare.
Deputeti i asaj lëvizjeje dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Borko Pushkiq, u tha gazetarëve para ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes se vendimi për mbajtjen e saj ishte “jokushtetues” dhe “i paligjshëm”, pa dhënë shpjegime specifike.
Dveri, një lëvizje parlamentare në Serbi, angazhohet për marrëdhënie të ngushta midis Serbisë dhe Rusisë.
Në një deklaratë të datës 10 prill, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë hodhi poshtë pretendimet e Pushkiqit dhe ritheksoi se konkluzioni i Qeverisë së Republikës së Serbisë, të 16 marsit të vitit 2023, miratoi zbatimin e aktivitetit ndërkombëtar, i cili përjashtonte stërvitjen "Ujku i Platinit 23” nga moratoriumi për planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e stërvitjeve me partnerë të huaj brenda dhe jashtë vendit.
Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës fqinje.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është përmbushja e obligimeve të Republikës së Serbisë në lidhje me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Serbisë në operacione shumëkombëshe”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Kjo ministri tha gjithashtu se stërvitja ndërkombëtare “Ujku i Platinit” është kryer gjithsej shtatë herë në periudhën 2014-2021.
Stërvitja taktike ndërkombëtare “Ujku i Platinit 23”, thuhet në deklaratë, do të mbahet nga data 16 deri më 30 qershor të vitit 2023 në Republikën e Serbisë, së bashku me disa vende partnere me të cilat Ushtria Serbe merr pjesë në operacione shumëkombëshe.
Siç shpjegohet më tej, qëllimi i stërvitjes është ruajtja e nivelit të arritur të ndërveprimit i njësive të Ushtrisë së Serbisë për pjesëmarrje në operacione shumëkombëshe.
SHBA: Jemi të lumtur që jemi pjesë e "Ujkut të Platinit"
Ambasada e SHBA-së në Serbi mirëpret vendimin e Serbisë për të organizuar një stërvitje ushtarake me partnerët e saj globalë të paqes.
Në një përgjigje nga Ambasada amerikane nw Serbi për Radion Evropa e Lirë, dërguar më 7 prill, thuhet se SHBA-ja e vlerësojnë partneritetin ushtarak me Serbinë dhe kanë respekt të madh për ushtrinë serbe dhe udhëheqjen e saj.
“Ne angazhohemi për një partneritet të fuqishëm dypalësh ushtarak dhe mbrojtës me Serbinë, të fokusuar në qëllimet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe globalisht”, ka thwnw Ambasada e SHBA-së në Serbi.
“Jemi të lumtur që jemi pjesë e Ujkut të Platinit”, thuhet ndër të tjera në përgjigje, duke shtuar se puna e përbashkët ndërton lidhje miqësie dhe besimi që u mundëson të dyja palëve të kontribuojnë bashkërisht për paqen.
Kremlini: Rusia do t’i përcjellë me kujdes stërvitjet e Serbisë dhe NATO-s
Ndërkohë, Kremlini njoftoi se stërvitjet ushtarake që Serbia do t’i zhvillojë me trupat e NATO-s “nuk do të kalojnë pa u vënë re” në Rusi.
“Sa u përket stërvitjeve, sigurisht që do t’i përcjellim me shumë kujdes”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.
Siç raportoi Beta, Peskov shtoi se Beogradi “është nën presion të paparë për ta tërhequr Serbinë në anën e atyre që i përmbahen qëndrimit anti-rus”.
Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës fqinje.
Asokohe, Beogradi zyrtar njoftoi se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, por edhe se Ushtria e Serbisë, duke pasur parasysh politikën e neutralitetit ushtarak, i pezullonte të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët e huaj, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, deri në një vendim të ardhshëm.
Më 5 prill, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i tha Radios Evropa e Lirë se moratoriumi mbetet në fuqi, ndërkaq stërvitja “Ujku i Platinit” është një përjashtim nga ai moratorium.