Ndërlidhjet

Spanja thotë se është kundër ndaljes së ndihmave për palestinezët


Burra palestinezë duke bartur ushqim nëpër rrënojat e ndërtesave të shkatërruar nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, 10 tetor 2023.
Burra palestinezë duke bartur ushqim nëpër rrënojat e ndërtesave të shkatërruar nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, 10 tetor 2023.

Spanja e ka kundërshtuar të martën propozimin për pezullimin e ndihmave të Bashkimit Evropian (BE) për territoret palestineze, duke thënë se “Hamasin nuk duhet ta përziejmë me popullin palestinez”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha të martën se “ky bashkëpunim duhet të vazhdojë patjetër, sepse nuk mund ta përziejmë Hamasin, të cilin BE-ja e ka në listën e grupeve terroriste, me popullin palestinez, apo autoritetin palestinez, apo organizatat e Kombeve të Bashkuara në terren”.

Ai tha për radion spanjolle Cadena SER se territoret palestineze me gjasë do të kenë nevojë për më shumë ndihma në të ardhmen e afërt, pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit të shtunën dhe bombardimeve hakmarrëse izraelite ndaj Rripit të Gazës si pasojë.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot për të biseduar për këtë çështje.

Të hënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.

Izraeli i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (FMI) njoftuan, po ashtu, se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Zëdhënësi i FMI-së, Daniel Hagari, tha se në ditët e fundit nuk ka mundur të futet asnjë militant në tokën izraelite nga Gaza.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG