Ndërlidhjet

Ambasadorët QUINT-it: S’ka imunitet për vjedhje


Ilustrim
Ilustrim

Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse në Kosovë që të ndërmarrin hapa konkrete në luftimin e korrupsionit, si njëri prej kushteve në rrugën e saj në integrimet evropiane.

Prokurimi publik, është vlerësuar ndër fushat më të korruptuara në Kosovë.

Thirrjet e ambasadorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë, u bënë në kuadër të hapjes zyrtare të Javës kundër korrupsionit në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka thënë se korrupsioni në fushën e prokurimit publik përcillet me pasoja të mëdha në minimin e investimeve ekonomike, në shërbime jo të mira lokale, në qasje dhe përkujdesjen efikase shëndetësor si dhe në kualitetin e arsimit.

“Qeveria ka bërë progres inkurajues në reforma, por qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë. Le të sigurohemi se lëvizja drejt prokurimit publik elektronik të finalizohet deri në janarin e vitit 2018. Qeveria amerikane, përmes USAID-it dhe agjencive të tjera, do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë për prokurimin publik, reformat në gjyqësor dhe të bëjë përpjekje më të mira për të luftuar korrupsionin”, ka thënë Delawie.

Mbi 40 për qind e buxhetit të Kosovës shpenzohet përmes prokurimit publik, tha Delawie, andaj për ta luftuar korrupsionin në këtë fushë, sipas tij, duhet një përkushtim më i madh që prej pushtetit lokal, deri tek nivelet më të larta të pushtetit.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova tha se për Bashkimin Evropian, lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet.

Ajo ka shtuar se BE-ja, përmes raporteve të saj, ka rekomanduar Kosovën të ndërmerr hapa në luftimin e korrupsionit, si një prej kushteve në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Veprimet konkrete, ka shtuar ajo, janë të nevojshme dhe se zyrtarët publikë që kanë aktakuzë, duhet të suspendohen nga funksionet e tyre, derisa ata që janë të dënuar duhet që menjëherë të largohen nga puna.

“Korrupsioni duhet të çrrënjoset tërësisht nga institucionet publike. Interesi privat nuk duhet më të diktojë interesin publik dhe politikat publike. Të gjithë ata që kanë përfituar financiarisht, duhet t’u merren asetet e fituara përmes korrupsionit. Legjislacioni për konfiskimin e aseteve duhet të miratohet. Nuk duhet të ketë imunitet për vjedhje”, ka thënë Apostolova.

Java kundër korrupsionit, paraqet një aktivitet të përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, janë theksuar në pothuaj të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet hulumtuese të organizatave ndërkombëtare e vendore, si “një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të Kosovës”.

Në raportet për shkallën e korrupsionit në nivel global, Organizata Transparency Internacional, ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG