Sektori financiar në Kosovë vazhdimisht vlerësohet të jetë i qëndrueshëm. Por, përveç rritjes së kapitalit, përfitimeve për vetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, mbetet çështje debati se sa ka ndikuar ky sektor në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe fuqizimin e sektorit privat.
Zyrtarë të Qeverisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit japin vlerësime të ndryshme rreth ndikimit të sistemit bankar në rritjen ekonomike.
Sistemi bankar në Kosovë përbëhet nga 11 bankave komerciale dhe 14 institucioneve mikrofinanciare me kapital privat të huaj dhe vendor.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se sektori financiar ka qenë një ndër kontribuuesit kryesor të rritjes ekonomike të vendit në vitet e fundit.
“Nëse kemi një rritje të kreditimit mbi 10 për qind, kjo nënkupton se çdo vit kemi pasur shtesë një lloj infuzioni në ekonomi me mbi 200 milionë euro. Dhe është një ndër kontribuuesit kryesor. Unë uroj dhe besoj që do të vazhdon të zhvillohet suksesshëm”, thotë ministri Hamza.
Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se kreditë e bankave, në një mënyrë dhe në një masë kanë ndikuar në zhvillimin e proceseve ekonomike, por edhe kanë penguar zhvillimin e tyre për shkak të normave të larta të interesit.
Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit tha për Radion Evropa e Lirë se 25 për qind e kompanive të shuara, si arsye i kanë potencuar kamatat e larta të kredive.
“Një nga pesë problemet rreth asaj se pse janë shuar bizneset në Kosovë vazhdimisht rezulton se është interesi i lartë, profitet e bankave kanë shkuar në dëm të biznesit dhe ka ardhur deri tek mbyllja e tyre”.
“Krahasuar me vendet e tjera, sistemi bankar dhe politikat e tyre të brendshme ndaj bizneseve janë më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor”, thekson Shahini.
Ai thotë se bankat kanë paraqitur produkte të llojllojshme në treg, por politikat janë jo të favorshme për bizneset.
“Kjo është një sfidë për bizneset të cilat nuk po zhvillohen në ritmin e dëshiruar. Po të ishte interesi bankar i ulët, sikurse në vendet perëndimore nga edhe vijnë bankat që operojnë në vendin tonë, ose një mbështetje më korrekte ndaj bizneseve, me siguri që edhe bizneset do të zhvilloheshin më shumë, por edhe bankat do të shtriheshin më shumë dhe qytetarët do t’u besonin më shumë atyre”, thotë Shahini.
Ndryshe, vitet e fundit kamatat për kredi në institucionet financiare në Kosovë kanë shënuar ulje nga dyshifrore në njëshifrore.
Aktualisht normat efektive të interesit në bankat komerciale sillen nga 6 deri në rreth 8 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.
Ministri Hamza, ndërkaq thotë se pritet që në të ardhmen të ketë ulje të normave të interesit.
“Normat e interesit kanë pas një zvogëlim bukur të madh, për katër vitet e fundit mund të them se ndoshta rreth 50 për qind janë zvogëluar këto norma”.
“Jemi në nivel me vendet e rajonit. Por, them se me eliminimin e disa pengesave ka një hapësirë për një ose dy pikë të përqindjes të ulen normat e interesit në favor të sektorit privat dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Hamza.
Në sektorin bankar për rreth 10 për qind ka pasur rritje të kredive. Vlera e kredive ka arritur në rreth 2.4 miliardë euro, mbi 1.5 miliard euro janë kredi për ndërmarrje, kurse shuma e depozitave ka arritur në mbi 3 miliardë euro.