Kur ushtria ruse e ka dëbuar Nika Streletskayan dhe nënën e saj nga shtëpia e tyre në lindje të Ukrainës, ajo ka mundur të marrë shumë pak gjëra me vete.
Mirëpo talenti i saj ka udhëtuar bashkë me të. Dhe me sa duket, është i durueshëm.
Gati një vit më vonë, shtatëvjeçarja është duke jetuar bashkë me shumë refugjatë ukrainas në qytetin e Varnas në Bullgari.
Përmes pikturave të saj, Nika tenton të tejkalojë pasojat e luftës.
Rezultatet janë po aq dramatike sa edhe trazirat që e kanë detyruar atë dhe miliona ukrainas që të largohen nga shtëpitë e tyre, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.
Pikturat e Nikas kanë fituar vëmendjen e Radios Evropa e Lirë për herë të parë në vjeshtën e vitit të kaluar, gjatë një vizite në një kamp refugjatësh, ku ka qenë duke qëndruar ajo me nënën e saj.
Pikturat e disa fëmijëve ukrainas kanë qenë të varura nëpër mure.
Mirëpo pikturat e Nikas ka qenë më të veçantat.
E konsideruar si një nga artistet më shpresëdhënëse edhe para luftës, Nika veçse është njohur dhe është nderuar me çmime në Londër, Los Angjelos, Versajë e Vjenë.
Ajo është përfshirë edhe në një libër të publikuar në Ukrainë me emrin Enciklopedia e fëmijëve talentë.
Nika po ashtu ka organizuar më parë ekspozita nëpër Ukrainë, e deri në Japoni.
Ajo ka fituar disa çmime edhe në Bullgari.
Pak ditë pas nisjes së pushtimit rus, Nika dhe nëna e saj kanë ikur 1.000 kilometra e diçka në Bullgari për shkaqe të sigurisë.
Nëna e saj, Tetyana Okhrimenko, përmend të paktën 13 shtete ku është prezantuar puna e Nikas.
Okhrimenko është vetë artiste dhe ligjëron për vizatim.
Ajo ka qenë mësuese e më shumë se 250 fëmijëve në studion e saj në Dnjipro para se të niste lufta.
“Nika është rritur me brusha, ngjyra, lapsa dhe kanavaca. Ajo është rritur me piktura. Ajo ka qenë gjithmonë e rrethuar me njerëz që kanë pikturuar”, ka thënë nëna e vajzës për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.
“Mendoj se ky fakt i ka ndikuar në dëshirën për t’u bërë artiste”.
Okhrimenko dhe vajza e saj janë akomoduar fillimisht në hotelin Golden Sands, i cili gjendet në veri të qytetit Varna.
Për fatin e saj, edhe familjet e shumë nxënësve të saj kanë qenë në hotelin e njëjtë.
Të gjithë më pas kanë rinisur vizatimet.
Përveç tyre, edhe fëmijë shtesë u janë bashkuar, duke hequr kështu mendjen nga presioni psikologjik që u është shkaktuar nga lufta.
Pas fazave të para të ndihmës së Qeverisë bullgare për refugjatët ukrainas, Nika, nëna e saj dhe refugjatë tjerë janë zhvendosur në një vend më modest ku janë duke qëndruar edhe tani.
Atyre nuk u ofrohet më ushqimi falas, duke i bërë të varur nga ndihma e donatorëve dhe vullnetarëve.
Një vullnetar i organizatës bamirëse, Open Heart, i ka parë disa prej pikturave të Nikas.
Shumë shpejt, Nikas dhe disa fëmijëve tjerë u është mundësuar që të ndjekin një kurs në qendër kulturore bullgaro-ukrainase, i cili është sponsoruar nga organizata bamirëse.
Okhrimenko është kthyer në mësuese vullnetare në atë qendër.
Babai i Nikas, punëtor shëndetësor, vazhdon të jetë me qindra burra tjera në Dnjipro.
Organizata bamirëse, Open Heart do të organizojë në muajin shkurt një ekspozitë me pikturat e Nikas, për të shënuar përvjetorin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe mënyrën se si ua ka ndryshuar jetën shumë personave, përfshirë fëmijëve si ajo.