Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka tha se vendi i saj është i gatshëm që të strehojë mijëra afganë, të cilët po evakuohen nga Afganistani, pas marrjes së shtetit nga talibanët.
“Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s kemi diskutuar për situatën në Afganistan. Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë. Kjo është një sfidë për NATO-n. Nëse Shqipëria mund ta bëjë një gjë të tillë, pse mos ta bëjnë edhe të tjerët”, shkroi ajo në Twitter.
Ministrja Xhaçka tha se strehimi i afganëve është “obligim” pasi ata kanë punuar me forcat e NATO-s.
“Ne mundemi dhe duhet të ndihmojmë. Kjo ka të bëjë edhe me të ardhmen e NATO-s aq sa është edhe mision humanitar”, theksoi ajo.
Ministrat e jashtëm të NATO-s, pas takimit të mbajtur më 20 gusht, u bën thirrje talibanëve që të lehtësojë evakuimin e sigurt të mijëra afganëve dhe qytetarëve të huaj nga Afganistani.
Së fundmi ka pasur raportime se militantët talibanë po pengojnë njerëzit që të arrijnë në aeroportin në Kabul, prej ku po evakuohen me aeroplanë luftarakë afganët dhe shtetasit e huaj.
Shqipëria është në pritje të arritjes së grupit të parë të afganëve, të cilët do t'i strehojë përkohësisht derisa atyre t'u rregullohen dokumentacionet e nevojshme për t'u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.
Edhe Kosova, por edhe Maqedonia e Veriut po ashtu kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të strehojnë afganët që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane.
Më 15 gusht, talibanët morën kontrollin e Kabulit, pasi për një javë morën nën kontroll shumicën e provincave të vendit. Militantët janë zotuar se duan një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të bazohej në parimet e Islamit. Ata po ashtu kanë thënë se nuk do të hakmerren ndaj afganëve që kanë punuar me forcat e huaja apo për qeverinë e mëparshme afgane.
Trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë afat që deri më 31 gusht të largohen nga Afganistani. Por, presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se trupat amerikane mund të qëndrojnë përtej kësaj date, derisa të evakuohen të gjithë amerikanët nga Afganistani.