Ndërlidhjet

Shqipëria akuzon Iranin për “agresion shtetëror”, ndërpret marrëdhëniet diplomatike


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi tha se ky vend qëndron pas sulmit kibernetik që ka ndodhur disa muaj më parë në Shqipëri.

Stafit diplomatik të Ambasadës së Iranit në Shqipëri i është dhënë 24 orë kohë që të largohet nga Shqipëria.

“Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Agresioni është orkestruar nga Irani”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media të mërkurën, duke shtuar se sulmi “është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik dhe që merr masa të tilla.

Sipas kryeministrit Rama, katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri, “ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar”.

Rama tha se objektivi i këtij sulmi ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj aleates së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin veprime të mëtejme për të mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleates së NATO-s dhe vendosin precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson përmes një deklarate.

Shqipëria, në muajin korrik, ka qenë cak i një sulm të madh kibernetik, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Pas këtij sulmi kibernetik, Ambasada amerikane në Shqipëri ngriti alarmin për një kërcënim të mundshëm, që thuhej se kishte për cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim. Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), që të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK, pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi.

Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se Teherani ka qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë.

“Ky është vendim i pamatur dhe i nxituar, që është bazuar në insinuate të pabazuara”, ka thënë Ministria e Jashtme iraniane.

Sipas ministrisë, vetë Irani ka qenë viktimë e sulmeve kiberbetike dhe infrastrukturës kritike.

Një ekip i ekspertëve amerikanë për sulmet kibernetike nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) së fundmi shkuan në Malin e Zi, pas një sulmi masiv kinebertik ndaj Qeverisë dhe shërbimeve të këtij shteti anëtar të NATO-s.

Një burim nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Malit të Zi fillimisht kishte sugjeruar se shërbimet ruse të sigurisë dyshohej se qëndronin prapa sulmit, edhe pse një grup kuban më vonë mori përgjegjësinë për sulmin kibernetik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG