Ndërlidhjet

Scholz thotë se i mirëpret shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE sa më shpejt


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. 7 mars 2023.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. 7 mars 2023.

Gjermania dëshiron të mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, tha të martën kancelari Olaf Scholz.

Shqipëria po bën përparim të mirë drejt anëtarësimit në bllok, theksoi Scholz në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

"Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera", u tha kancelari gjerman gazetarëve, duke shtuar se qeveria e tij do të mbetet një "partner i besueshëm" në përpjekjen e Tiranës për t'u bashkuar me BE-në.

Vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave.

Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por vitin e kaluar nuk ka hapur asnjë kapitull të ri.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sapo i kanë nisur negociatat. Ndërsa, Bosnje e Hercegovina ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar për anëtarësim në BE. Deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që u nënshkrua në Strasburg, më 17 tetor të vitit 2015.

Plani evropian, temë diskutimi në takimin Scholz-Rama

Propozimi evropian - i titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi” - ishte një tjetër çështje diskutimi në takimin Scholz – Rama.

Kancelari gjerman tha se pret që ky proces të përfundojë shpejt.

“Me të vërtetë kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë e Francës dhe që gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Komisionit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, tha Scholz.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar këtë propozim.

Marrëveshja - për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve – nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i afërt me këto zhvillime, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tekstit i mungon validiteti pa një aneks, të cilin pritet ta përgatisin palët para takimit të tyre të ardhshëm, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Samiti i Procesit të Berlinit, më 16 tetor në Tiranë

Kancelari gjerman njoftoi se samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë.

Kryeministri Rama tha se në këtë samit do të bëhet bilanci i arritjeve të këtij procesi.

“Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë që ne kemi dhe në këtë rrugë jemi me fat se Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe i përfshirë drejtpërdrejt", tha Rama.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është mbajtur në Tiranë – për herë të parë jashtë kufijve të bllokut evropian.

Aty, liderët e Bashkimit Evropian kanë rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

Kryeministri Rama ndodhet në Berlin në një vizitë zyrtare. Atje, ai pritet të takohet edhe me përfaqësues të bizneseve gjermane për të diskutuar mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.

Rama pritet ta vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10.000 ekspozues nga më shumë se 180 vende, në mesin e së cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG