Qeveria shqiptare i ka hapur rrugën krijimit të forcës së rezervistëve, pasi ka miratuar projektligjin që rregullon funksionimin dhe organizimin e një force të tillë.
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, tha për gazetarët se synohet që nga janari i vitit 2025 të niset me hapat e parë për formimin e forcës së rezervistëve.
Përmes këtij projektligji, Vengu tha se i japin mundësi ushtarakëve që kanë vendosur të zhvillojnë karrierën në sektorin privat, që të angazhohen edhe në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me misione specifike. Ai tha se në këto misione mund të përfshihen misionet paqeruajtëse në kuadër të angazhimit në NATO apo në rajon.
“Në kuadër të detyrimeve dhe standardeve të NATO-s dhe sfidave të reja të sigurisë, ka lindur nevoja që të konsiderojmë krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve”, tha Vengu.
Qeveria do të ndajë 15.5 milionë euro vitin e ardhshëm për këtë forcë, tha Vengu.
Shërbimi do të përfshijë një forcë rezerviste që do të përbëhet nga 25 për qind e forcave aktive, ose rreth 2.100 persona, duke siguruar kështu një kapacitet të rëndësishëm për reagim të shpejtë në raste emergjente.
Sipas përcaktimeve të projektligjit të ri, ushtarakët, të cilët, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë dalë në forcën rezervë, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si edhe shtetasit civilë, të cilët plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, rekrutohen nëpërmjet procedurës së konkurrimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë me kohëzgjatje jo më pak se 2 vjet. Kjo kontratë më pas mund të rinovohet.
"Të gjitha vendet e NATO-kanë forcë rezerviste dhe në këtë mënyrë kemi një instrument tjetër për të bërë Forcën e Armatosur më tërheqëse dhe kjo u jep mundësinë të kenë gamë më të gjerë personeli në dispozicion. I konsiderojmë Forcat e Armatosura qoftë aktive, qoftë rezervë, si kapacitete kombëtare”, tha ministri Vengu.
Më herët, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar rritjen e trajtimit financiar për punonjësit e sektorit të mbrojtjes. Shtesa në pagë shkon deri në 700 euro. Ky vendim prek 6.000 punonjës të Forcave të Armatosura.
Shqipëria po ashtu do të rijetësojë së shpejti industrinë e vjetër ushtarake. Autoritetet kanë theksuar se rivënia në funksion e industrisë së vjetër ushtarake ka lindur si nevojë pas ndryshimeve gjeopolitike.
Me ndihmën e Agjencisë së Prokurimit Publik të NATO-s është hartuar një raport mbi gjendjen e objekteve të industrisë ushtarake në Shqipëri. Në strategjinë e sigurisë kombëtare thuhet se synohet modernizimi i Forcave të Armatosura për t’iu përgjigjur sfidave të reja sigurisë.
Në korrik të këtij viti, Këshilli Evropian kishte miratuar një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Shqipërisë.