Ndërlidhjet

Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 11 maj


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shpalli datën 11 maj të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Zyra e Presidencës shqiptare sqaroi për mediat se kreu i shtetit shqiptar vendosi që të respektojë kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në caktimin e datës së zgjedhjeve.

"Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit”, u tha në njoftimin e Presidencës shqiptare.

Gjatë konsultimeve që presidenti Begaj zhvilloi me krerët e partive politike, data 11 maj ishte propozuar edhe nga Partia Socialiste në pushtet.

Në konsultimet për datën e zgjedhjeve nuk morën pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike në opozitë. Përfaqësues të kësaj partie i cilësuan farsë konsultimet e thirrura nga presidenti, pasi sipas tyre, data ishte paracaktuar nga shumica qeverisëse.

Partitë opozitare kishin shprehur shqetësim se planifikimi i samitit të gjashtë të Komitetit Politik Evropian për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundshëm për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për Qeverinë.

Për këtë çështje, Presidenca sqaroi se ky aktivitet do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar edhe nga ndërkombëtarët.

Për këto zgjedhje, presidenti Begaj kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG