Ndërlidhjet

Gjykata në Shqipëri shpall fajtore nëntë gra të riatdhesuara nga Siria


Kampi al-Hol në Siri, prej ku Shqipëria kishte riatdhesuar shtetas të saj. 1 prill 2019.
Kampi al-Hol në Siri, prej ku Shqipëria kishte riatdhesuar shtetas të saj. 1 prill 2019.

Gjykata e Posaçme në Shqipëri shpalli fajtore nëntë gra të riatdhesuara nga Siria, të akuzuara për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në veprimtari luftarake në një shtet të huaj.

Edhe pse gjyqtarja Rudina Palloj shpalli dënimin me shtatë vjet heqje lirie për secilën prej tyre dhe përfundimisht ato u vendosën në shërbim prove për pesë vjet.

Përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tyre do të ulej në katër vjet e tetë muaj heqje lirie. Megjithatë, Prokuroria kërkoi pezullimin e dënimit të tyre dhe vendosjen në shërbim prove për pesë vjet.

Gjithashtu, të nëntë të dënuarat detyrohen të mos shoqërohen me persona të hetuar apo dënuar për vepra penale për të cilat ato akuzohen, si dhe të mos frekuentojnë ambiente me individë që kanë qëndrime radikale.

Nëntë gratë që u shpallën fajtore ishin larguar në drejtim të Sirisë në vitet 2013-2014, shtet në të cilin më herët kishin shkuar bashkëshortët e tyre dhe ishin rreshtuar përkrah grupeve terroriste të Al-Nusrës dhe më pas Shtetit Islamik.

Gjykata vendosi edhe heqjen e masës së sigurisë që u ndalonte të pandehurave daljen jashtë vendit.

Sipas të dhënave të agjencive shqiptare të inteligjencës, në Siri dhe Irak kanë shkuar rreth 140 luftëtarë nga Shqipëria.

Disa vite më parë ishin arrestuar nëntë persona që dyshohej se rekrutonin luftëtarë për në Siri. Gjykata e Krimeve të Rënda më 2016 i kishte dënuar ata në total prej 126 vjetësh burgim.

Në vitet, përmes disa operacioneve Shqipëria ka riatdhesuar shtetas që gjendeshin në Siri, ku kishin shkuar t’iu bashkoheshin organizatave terroriste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG