Sekretariati i Etikës i Kuvendi të Shqipërisë ka thënë të mërkurën vonë se i ka përjashtuar përkohësisht 24 deputetë të opozitës nga seancat plenare të Kuvendit, për shkak se dogjën karrige para ndërtesës së institucionit dy ditë më parë.
Sekretariati vendosi që - kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Gazmend Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati - të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare secili.
Ndërsa, 20 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 40 ditë. Një deputet tjetër është përjashtuar për 10 ditë nga seancat parlamentare.
Vendim hyn në fuqi prej ditës së enjte, 3 tetor, kur do të zhvillohet seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, tha Sekretariati i Etikës.
Më 30 shtator, deputetë të Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ata po ashtu kërkuan një Qeveri teknike, që pas tyre, do ta çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Vendimi për përjashtimin e tyre u mor pas kërkesës që bënë një grup deputetësh nga Partia Socialiste në pushtet menjëherë pas seancës së 30 shtatorit, e cila u shoqërua me akte dhune brenda Kuvendit jashtë tij.
Gazmend Bardhi e kundërshtoi vendimin e Etikës përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin”, shkroi Bardhi në rrjetet sociale.
Në mesin e të përjashtuarve me 40 ditë nga punimet e Kuvendit është edhe nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, i cili e ka vlerësuar vendimin si “shuarje të Kuvendit”.
“Është shenjë e degradimit të këtij Kuvendi dhe mbi të gjitha e kësaj keqqeverisjeje, që pasi ta shtron me korrupsion, të mbulon me burgosje politike. Nga e hëna fillon përballja çdo ditë e kudo”, shkroi Gjekmarkaj.
Mbledhja e Sekretariatit të Etikës u shoqërua me debate, pasi një grup deputetësh të opozitës tentuan të pengonin zhvillimin e saj. Pas disa momentesh tensioni mbledhja u ndërpre dhe më pas vijoi vetëm me anëtarët e shumicës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë më 30 shtator në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.
Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme, deputetët e opozitës që u bënë pjesë e këtij veprimi.