Maqedonia e Veriut i anulon zgjedhjet
Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parapara për 12 prill.
Vendimi vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut, sikurse shumë vende të botës, përballet me pandeminë e koronavirusit.
Pas takimit të mbajtur nën organizimin e presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski, kryetari i i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tha se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve.
Për datën e re të zgjedhjeve, Zaev tha se do të vendoset pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin.
Maqedonia e Veriut ka 26 njerëz të infektuar me koronavirus.
Disa këshilla për ditët e vetizolimit
Kosova kthen prapa një autobus me udhëtarë nga Italia
Institucionet e Kosovës kanë ndaluar një autobus me udhëtarë, të cilët ishin nisur nga Italia për në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke thënë se nisja e autobusit ishte joligjore dhe pa autorizim të ministrisë.
“Autobusi në fjalë është kthyer prapa në Kroaci. Rikujtoj se çdo transport i organizuar, tokësor e ajror është i ndaluar deri në një vendim tjetër. Kjo masë preventive është domosdoshmëri e mbrojtjes së qytetarëve tanë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, shtetasit e Kosovës me viza në skadim do të kenë trajtim bazuar në koordinimin që po ndodh mes institucioneve të Kosovës.
Italia është vendi më i goditur në Evropë nga koronavirusi i ri.
Shtyhet për vitin e ardhshëm kampionati Euro 2020
Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2020 është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit, tha Uefa.
Federata Evropiane e Futbollit e mori vendimin gjatë një video-konference, të martën.
Turneu që do të zhvillohej nga 12 qershori deri më 12 korrik të këtij viti në 12 vende të Evropës, do të zhvillohet tani nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm.
Dhjetëra vende të Evropës janë duke u përballur me luftë kundër koronavirusit, ndërsa të goditura më së keqi janë Italia dhe Spanja.