Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:42 16.3.2020

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe FSK-ja në gjendje gatishmërie

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë thënë se kanë marrë të gjitha masat që të jenë të gatshme në rast të ndonjë kërkese nga shteti, lidhur me koronavirusin.

Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës i kanë përfaqësuesit e tyre në dy komitete: Komitetin për menaxhimin emergjent të situatës për koronavirus dhe Komitetin për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.

Këto dy komunitete janë krijuar në nivel vendi për menaxhimin e situatës që kanë shkaktuar rastet me koronavirus.

Kosova ka aktualisht 13 njerëz të prekur.

13:49 16.3.2020

Vetizolohet Marine Le Pen

Politikania e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, tha se është vetizoluar, pasi ka takuar njerëz që kanë treguar simptoma të koronavirusit, raporton BBC.

Të enjten e kaluar, ajo po ashtu thuhet të jetë ulur pranë një personi që ka dalë pozitiv në testet e koronavirusit.

Le Pen aktualisht nuk ka simptome.

Marine Le Pen
Marine Le Pen

13:58 16.3.2020

Bavaria shpallet zonë katastrofe

Për herë të parë në historinë e tij moderne, i gjithë rajoni gjerman i Bavarisë është shpallur zonë katastrofe, për shkak të krizës me koronavirus.

Bavaria është landi i dytë më i pasur i Gjermanisë dhe ka një popullsi prej 13 milionë banorësh.

Të gjitha shkollat dhe çerdhet janë mbyllur.

Në Bavari ka pasur rritje të ndjeshme të të infektuarve me koronavirus.

Deri në mesditën e së dielës kanë qenë 886 raste - nga të cilat 205 janë regjistruar brenda 24 orësh.

Pesë pacientë të moshuar kanë vdekur.

Qytetarët në Bavari, megjithatë, vazhdojnë të lëvizin lirshëm nëpër rrugë, ndryshe nga disa pjesë të tjera të Evropës.

Por, masat e tjera përfshijnë:

  • Nga e marta, baret, kinematë dhe pishinat do të mbyllen, së bashku me bizneset jothelbësore;
  • Orare më të zgjatura të punës për supermarketet, farmacitë, stacionet e benzinës dhe bankat;
  • Restorantet dhe kafenetë do të punojnë me orar të kufizuar nga ora 06:00 deri në 15:00, ndërsa klientët do të duhet të qëndrojnë në distancë.
14:14 16.3.2020

IKSHPK: Aktualisht ka teste të mjaftueshme për COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës nga data 08.02.2020 deri me 14.03.2020, ka testuar gjithsej 207 mostra të dyshimta për koronavirusin e ri SARS-CoV-2.

Prej tyre janë konfirmuar trembëdhjetë raste të prekur nga Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Megjithëkëtë zyrtarë në këtë institucion, i thanë Radios Evropa e Lirë, se sa i përket reagencave (materialet e testimit) për të kryer teste të virusit, tash për tash ka mjaftueshëm, dhe nuk ka vend për shqetësim.

Ndryshe në klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë gjithsej 125 shtretër. Prej tyre vetëm gjashtë kanë respiratorë. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë infektologu, Valbon Krasniqi.

Respiratorët përdoren për filtrimin e ajrit nga ndotësit te pacientët që janë të prekur nga sëmundjet e rënda.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG