Riformatimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, pas dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, ndodh në kohën kur ky vend pret zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.
Maqedonia e Veriut pret që në samitin e Bashkimit Evropian, që mbahet më 16 dhjetor, Sofja të heqë veton, që bllokon mbajtjen e konferencës ndërqeveritare midis BE-së dhe Qeverisë maqedonase.
Partia shqiptare, Alternativa, e cila në zgjedhjet lokale të tetorit ka garuar si pjesë e opozitës, ka bërë të ditur se me katër deputetët e saj do të jetë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kryetari i kësaj partie, Afrim Gashi, ka thënë se ky veprim është ndërmarrë për t’i dhënë shans procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Njohësit e çështjeve politike janë të ndarë rreth mendimit nëse dështimi i procesit të integrimeve do ta detyrojë ose jo partinë e Gashit të largohet nga pushteti, e me këtë ta vë në pikëpyetje edhe shumicën parlamentare.
Petar Arsovski, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse brenda gjashtë muajve, Maqedonia e Veriut nuk merr sinjal të qartë nga Brukseli për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian, do të vihet në pikëpyetje edhe stabiliteti i Qeverisë, i cili u mundësua me hyrjen e partisë Alternativa në të.
“Euro-integrimet mbeten narrativi kryesor i partisë shqiptare në opozitë, e cila së fundmi iu bashkua pushtetit. Dhe, nëse gjatë gjashtë muajve të ardhshëm nuk bëhet një lëvizje sado e vogël e bllokadës bullgare, kjo parti do ta ketë shumë të vështirë t’iu shpjegojë votuesve se përse vazhdon të mbetet pjesë e Qeverisë. E përsëris, pushteti i jep më shumë komoditet për të vepruar kësaj partie, por nëse mbetet i bllokuar procesi i integrimit, do ta ketë të vështirë ta menaxhojë presionin e elektoratit, veçanërisht për faktin se kjo parti në pushtetin vendor është në koalicion me opozitën”, thotë Arsovski.
Partitë kanë marrjen e posteve në fokus dhe jo proceset integruese
Jordan Shishovski, nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane në Shkup, thotë se problematik mbetet fakti se gjatë bisedimeve mes kryeministrit në dorëheqje, Zoran Zaev, dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, më shumë është diskutuar për ndarjen e posteve, sesa rreth afateve konkrete për shtyrjen përpara të procesit integrues.
Shishovski thotë se Lidhja Social-Demokrate ka marrë pushtetin në vitin 2017 me premtimin se do të bëjë ndryshime në qasjen e këtillë të veprimit, ku ndarja e posteve peshon më shumë se realizmi i politikave integruese.
“Bisedimet për hyrjen e Alternativës në pushtet dëshmuan se ky sistem i veprimit, ku më shumë diskutohet për ndarjen e posteve, sesa për strategjitë dhe politikat e veprimit me afate qartë të përcaktuara, tregon se sistemi mbetet i paprekur, se ende kemi shtet të robëruar dhe se Maqedonia e Veriut nuk është republikë, por një lloj shoqërie aksionare, ku partitë paraqiten si aksionare”, vlerëson Shishevski.
Besa Kadriu, ligjëruese e shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria, e cila pritet të formohet pas dorëheqjes së Zoran Zaevit, do ta ketë të vështirë të ruajë unitetin, nëse Brukseli nuk ndez dritën jeshile për sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
“Përshtypja e përgjithshme edhe e opinionit është ajo se kjo garniturë politike, e përbërë nga strukturat politike aktuale, shpeshherë arsyetim e ka atë se ata janë bartësit kryesorë të proceseve euro-integruese. Mirëpo, realiteti flet për një çështje krejtësisht tjetër dhe unë konsideroj se ndoshta kjo përbërje qeveritare, pas gjithë asaj rrëmuje që u shkaktua, do ta ketë edhe afatin më të shkurtër për të vijuar drejt proceseve integruese”, thotë Kadriu.
Bullgaria, si anëtare e Bashkimit Evropian, ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane që nga nëntori i vitit 2020.
Ajo ka kushtëzuar votën e saj me arritjen e një marrëveshjeje për çështjet kontestuese midis dy vendeve, që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike të maqedonaseve.
Sofja nuk i konteston maqedonasit, por kërkon që autoritetet të pranojnë se gjuha dhe identiteti i tyre ekzistojnë që nga viti 1945 dhe se para kësaj periudhe ato kanë pasur prejardhje bullgare.
Partitë politike maqedonase kanë miratuar një rezolutë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, në të cilën kanë hedhur poshtë pretendimet bullgare, ndërsa janë zotuar se nuk do të pranojnë të bisedojnë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.
Facebook Forum