Ndërlidhjet

Shefja e BE-së nis turneun ballkanik me vizitën në Tiranë


Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.
Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen e ka nisur të hënën udhëtimin e saj në Ballkanin Perëndimor me takimet me zyrtarë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Shefja e bllokut evropian ka bërë të ditur në Bruksel se dëshiron ta ritheksojë mbështetjen e saj për integrimin e këtij rajoni në BE, si dhe pranimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.

Gjatë vizitës së saj, von der Leyen do të diskutojë Planin e Rritjes të BE-së për rajonin e Ballkanit për periudhë 2024-2027.

Pas Tiranës, ajo do të udhëtojë në Malin e Zi ku do të marrë pjesë në disa konferneca lidhur me investimet në rajon.

Më pas, ajo do të udhëtojë në Bosnje-Hercegovinë.

Të mërkurën, vizitën e nis në Serbi, e vazhdon në Kosovë dhe e përfundon në Maqedoninë e Veriut.

Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, ajo do të takohet në Kosovë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Von der Leyen e ka vizituar Kosovën edhe në tetor të vitit të kaluar. Atëbotë, ajo pati folur masat ndëshkuese që blloku evropian i ka vendosur ndaj Kosovës.

Që atëherë, blloku ka njoftuar se ka nisur heqjen e disa masave, të cilat janë vendosur më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë asaj vizite, shefja e KE-së kishte lavdëruar Kosovën për punën që kishte bërë në agjendën e reformave për Planin e Rritjes të BE-së.

Megjithatë, Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG