Ndërlidhjet

SHBA-ja e përdor veton përsëri kundër rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gazë


Diplomatja amerikane, Morgan Ortagus, flet gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Gazë, në Nju Jork, 18 shtator 2025.
Diplomatja amerikane, Morgan Ortagus, flet gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Gazë, në Nju Jork, 18 shtator 2025.

Shtetet e Bashkuara e përdorën veton përsëri kundër një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do të kishte kërkuar armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, si dhe do t’i kërkonte Izraelit t’i hiqte të gjitha kufizimet për dërgimin e ndihmave në enklavën palestineze.

Teksti, i hartuar nga 10 anëtarët e zgjedhur të këshillit me 15 vende, do të kishte kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm, me dinjitet dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera në Gazë.

Zëvendësja e të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus, tha se teksti nuk ishte i mjaftueshëm në dënimin e Hamasit dhe nuk e njihte të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Draft-rezoluta i mori 14 vota për gjatë votimit të enjten vonë.

Kjo ishte hera e gjashtë që SHBA-ja e përdor veton në Këshillin e Sigurimit lidhur me luftën pothuajse dyvjeçare mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

“Zia e bukës është e konfirmuar në Gazë – jo e parashikuar, jo e shpallur, por e konfirmuar”, tha ambasadorja e Danimarkës në OKB, Christina Markus Lassen, para votimit.

“Ndërkohë, Izraeli ka zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Qytetin e Gazës, duke thelluar edhe më shumë vuajtjet e civilëve. Për pasojë, e kemi këtë gjendje katastrofike, këtë dështim njerëzor dhe humanitar, që na detyroi të veprojmë sot”, shtoi ajo.

Qyteti i Gazës dhe zonat përreth po vuajnë zyrtarisht nga uria, e cila me gjasë do të përhapet, sipas një vëzhguesi botëror të urisë.

SHBA-ja e mbron Izraelin

Shtetet e Bashkuara tradicionalisht e mbrojnë aleatin e tyre, Izraelin, në Kombet e Bashkuara.

Por, në një veprim të rrallë javën e kaluar, ato mbështetën një deklaratë të Këshillit të Sigurimit që dënonte sulmet e fundit në Katar, megjithëse teksti nuk përmendi se Izraeli ishte përgjegjës.

Ky veprim pasqyroi pakënaqësinë e presidentit amerikan, Donald Trump, me sulmin e urdhëruar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Megjithatë, vetoja e së enjtes tregoi se vetëm një javë më vonë, Uashingtoni po i ofron sërish mbrojtje të fortë diplomatike Izraelit.

“Hamas është përgjegjës për nisjen dhe vazhdimin e kësaj lufte. Izraeli ka pranuar kushtet e propozuara që do ta përfundonin luftën, por Hamasi vazhdon t’i refuzojë ato. Kjo luftë mund të përfundojë sot nëse Hamasi i liron pengjet dhe heq dorë nga armët”, tha diplomatja amerikane Morgan Ortagus para votimit.

Izraeli nuk ishte i kënaqur me deklaratën e Këshillit të Sigurimit për sulmet në Katar, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, për gazetarët të enjten, duke shtuar: “Por, mendoj se, në përgjithësi, niveli i bashkëpunimit me SHBA-në është aq i lartë, saqë jemi në rregull me këtë”.

Danon tha se, pas fjalimit që do ta mbajë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, Netanyahu do të udhëtojë në Uashington për t’u takuar me Trumpin më 29 shtator.

Netanyahu tha më herët këtë muaj se ishte ftuar nga Trumpi për ta vizituar Shtëpinë e Bardhë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet gjithashtu të mbajë një takim të nivelit të lartë për Gazën të martën, pasi liderët botërorë do të jenë në Nju Jork.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG