Ndërlidhjet

SHBA mirëpret hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së V. për anëtarësim në BE


Flamuri amerikan.
Flamuri amerikan.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mirëpritur hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë të martën Shtëpia e Bardhë duke e konsideruar këtë vendim si hap të rëndësishëm të bllokut evropian drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor në komunitetin euro-atlantik.

“Në kohën kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë që të mbështeten aspiratat për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i suksesshëm, vazhdon të mbetet thelbësor për këtë vizion”, është thënë në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas saj, hapat që kanë marrë BE-ja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të shërbejnë si inspirim për të gjitha vendet që synojnë bllokun evropian në rajon, ashtu që të rrisin përkushtimin dhe të forcojnë demokracitë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur të martën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në selinë e BE-së në Bruksel janë mbajtur konferencat e para ndërqeveritare me secilin shtet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, e ka konsideruar këtë moment si historik dhe ka shtuar se të dyja shtetet kanë kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Megjithatë, hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë.

Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska.

Maqedonia e Veriut mori statusin e shtetit kandidat më 2005. Më 2009, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, me kusht që vendi të zgjidhte mosmarrëveshjet rreth emrit me Greqinë fqinje.

Pas zgjidhjes së çështjes së emrit më 2018, nisja e procesit u vendos fillimisht nga Franca, që kërkoi ndryshimin e metodologjisë në negociatat e anëtarësimit. Në fund, Bullgaria bllokoi negociatat duke e kushtëzuar hapjen e procesit me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për gjuhën dhe historinë.

Shqipëria mori statusin e kandidatit më 2014 dhe që nga viti 2018 ka pasur rekomandim për nisjen e negociatave. Por, Tirana u fut në paketën e njëjtë me Shkupin, dhe iu desh të priste që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të arrinin pajtim për dallimet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG