Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit të premten.
Autoritetet kosovare i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe –për të cilat thanë se vepronin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Në një reagim të premten vonë, Ambasada amerikane tha se është e shqetësuar se vendime të tilla të Qeverisë kosovare “vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ” ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.
“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Aksioni i së premtes në veri u ndërmor në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj "të njëanshme dhe pakoordinuara", pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.
Ambasada amerikane tha se SHBA-ja dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë i kanë kërkuar vazhdimisht Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë “veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave pasqyron një rritje të përkeqësimit real të partneritetit tonë”, tha ajo.
Ajo e përsëriti se “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës i vënë në “rrezik më të madh” qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, si dhe “përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme” tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ajo e kritikoi Qeverinë se po e përdor Policinë për të kryer "veprime të pakoordinuara".
“Përderisa Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm Policisë së Kosovës nga Qeveria për të kryer veprime të pakoordinuara që nuk janë në përputhje zotimet e Kosovës për ‘vazhdimin e konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar’”, tha ajo.
Ambasada paralajmëroi se veprimet e Qeverisë se Kosovës do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit të SHBA-së me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe elementët vartës të saj.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me "lëvizjet e njëanshme të Kosovës".
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës - pa dallime.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se institucionet e mbyllura të premten në veri janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.
Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë.