Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se ka riatdhesuar një fëmijë amerikan që ishte ndarë nga familja e tij në kampin Al-Hol, një vendbanim i madh në verilindje të Sirisë që strehon dhjetëra mijëra persona të dyshuar për lidhje me grupin militant Shteti Islamik (IS).
Sipas Departamentit të Shtetit, rreth 30 mijë persona nga 70 vende të ndryshme vazhdojnë të jetojnë në kampin Al-Hol, shumica prej tyre gra dhe fëmijë të luftëtarëve të IS-it, përfshirë edhe përkrahës të grupit ekstremist.
Midis tyre janë shtetas irakianë dhe shtetas të vendeve perëndimore që kishin udhëtuar drejt Sirisë për t’u bashkuar me IS-in.
Organizatat për të drejtat e njeriut prej vitesh kanë ngritur alarmin për kushtet e rënda të jetesës dhe dhunën e përhapur në kamp, i cili prej kohësh administrohet nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetura nga SHBA.
Këto forca janë aleati kryesor i Uashingtonit në luftën kundër IS-it dhe celulave të tij të fshehta, duke kontrolluar një pjesë të madhe të Sirisë verilindore.
Departamenti i Shtetit nuk dha detaje të tjera mbi operacionin e riatdhesimit, përveç se fëmija “nuk ka njohur asgjë përtej jetës në kampe” dhe do të ribashkohet me familjen e tij në SHBA.
Ushtria amerikane prej vitesh ka ushtruar trysni ndaj vendeve të tjera për të riatdhesuar qytetarët e tyre nga kampet Al-Hol dhe Roj, një kamp më i vogël. Iraku ka pranuar një numër gjithnjë e më të madh qytetarësh të vet në vitet e fundit, ndërsa shumica e vendeve të tjera kanë qenë më hezituese.
“Zgjidhja e vetme e qëndrueshme për krizën humanitare dhe të sigurisë në këto kampe të personave të zhvendosur në verilindje të Sirisë është që vendet e origjinës të riatdhesojnë, rehabilitojnë, riintegrojnë dhe kur është e nevojshme, të kërkojnë përgjegjësi për shtetasit e tyre”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
“E njëjta gjë vlen edhe për ish-luftëtarët e ISIS-it të mbajtur në qendrat e ndalimit në verilindje të Sirisë”, thuhet në deklaratë.
Material i plubikuar në vitin 2022:
Në muajin maj, pavarësisht negociatave të vështira për të bashkuar SDF-në me autoritetet e reja të Sirisë, nën drejtimin e presidentit të përkohshëm Ahmad al-Sharaa, Damasku dhe SDF-ja arritën një marrëveshje për të riatdhesuar shtetasit sirianë të mbetur në kamp.
Që nga përmbysja e Bashar al-Asadit në dhjetor, SHBA ka shtyrë të dyja palët të zbatojnë këtë marrëveshje dhe të unifikojnë territorin sirian, çka do të sillte kalimin e kontrollit të kampit tek qeveria e re siriane.
SDF-ja nuk ka komentuar ende për rastin e riatdhesimit të fëmijës amerikan.
Më herët edhe Kosova ka riatdhesuar shtetas të saj që kishin mbetur në kampe të ndryshme të Sirisë, përfshirë edhe ish-luftëtarë të IS-it.
Disa prej tyre janë gjykuar e dënuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.