Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën mbështetjen për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ndihmëssekretari i Departamentit të shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroazisë, Jim O'Brien, u takua me prokurorët e SPAK-ut, të cilët prej disa ditësh ndodhen në SHBA në një vizitë studimore ku do të takohen me zyrtarë të lartë amerikanë.
Përmes një postimi në platformën X, O'Brien theksoi se reforma në drejtësi në Shqipëri po jep rezultate dhe duhet të jetë e qartë se askush nuk është mbi ligjin.
"I kënaqur që takova shefin e SPAK-ut, Altin Dumanin. Është mbresëlënëse të shohësh reformën në drejtësi që jep rezultate reale për popullin shqiptar, duke treguar me veprime se askush nuk është mbi ligjin”, shkroi O’Brien.
Ai theksoi se SHBA-ja do të vazhdojnë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi, të cilën e vlerësoi si thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në takim ka qenë e pranishme dhe ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila aktualisht është zëvendësndihmës sekretare kryesore e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë.
Prej disa ditësh drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani së bashku dhe disa prokurorë të SPAK ndodhen në Uashington.
Ata do të kenë takime edhe me përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit , Departamentit të Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).
Aktualisht SPAK është duke hetuar disa dosje, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë në Shqipëri.
SPAK është duke hetuar privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani" dhe gjykata ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për ish-kryeministrin, Sali Berisha, nën dyshimet se përmes disa vendimeve dhe ligjeve ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Hetime po kryhen edhe për dosjen "Gërdeci" për të cilën janë marrë në pyetje ish-ministri, Fatmir Mediu, dhe ish-ushtarakë, por edhe për disa çështje të tjera, për të cilat janë paraqitur në SPAK edhe ministra aktualë dhe kryebashkiakë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u ngrit në dhjetor të vitit 2019 me qëllim hetimin e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar.