Ndërlidhjet

Hovenier: Anulimi i pjesëmarrjes në Defender 23, pasoja e parë për Kosovën


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të.

Hovenier i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi [i Qeverisë] ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023" është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

"Sot nuk ka pasur aktivitet për 'Defender Europe ’23' dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund", tha Hovenier, duke iu referuar stërvitjeve më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit.

Këto stërvitje - nikoqire e të cilave ka qenë Kosova - kanë nisur më 21 maj dhe ka qenë e paraparë të zgjasin deri më 2 qershor.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave dhe ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, tha Hovenier.

Ai shtoi se e ka njoftuar Kurtin se sa serioze është situata në veri, por vetë Kurti e ka mbrojtur vendimin e Qeverisë së tij për dërgimin e kryetarëve në ndërtesat e komunave, duke e cilësuar atë si kushtetues.

Hovenier: SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën

Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai, duke shprehur bindjen se këto veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

Hovenier tha se është i shqetësuar për plagosjen e ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, të cilët pësuan gjatë përplasjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“Arsyeja përse ushtarët kanë qenë aty, për ta ruajtur paqen me atë skenar, ka qenë vendimi i marrë nga Kurti për të tentuar që të sigurojë qasje në tri ndërtesat komunale, përmes forcës”, tha ai.

“SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës”

Në takimin me gazetarët në Prishtinë, Hovenier foli edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Më duhet të them se në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse të saj, apo puna aktive për ta avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë që kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, tha ambasadori amerikan.

Ai shtoi se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë - për ç'gjë palët kanë rënë dakord në muajin mars.

"Udhërrëfyes afatgjatë është Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi. Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim nga Qeveria [e Kosovës] që të ecë urgjentisht përpara me procesin e [formimit të] Asociacionit [të komunave me shumicë serbe]", tha Hovenier.

"Rritja e gatishmërisë luftarake në Serbi nuk është shenjë e mirë"

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së saj përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo, në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”, tha ai.

Hovenier deklarohet për qasjen e Osmanit ndaj situatës në veri

I pyetur nga gazetarët nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pjesë e politikave qeveritare, Hovenier tha se nuk i takon të flasë për këto dinamika brenda institucioneve.

Megjithatë, ai kujtoi se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”, tha Hovenier.

Presidentja Osmani fajësoi strukturat ilegale serbe për tensionet në veri të Kosovës dhe për to bëri përgjegjës direkt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, i cili ka dhënë urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe, kërkoi nga ambasadorët e huaj në Beograd që ta bindin Kurtin për tërheqjen e policisë speciale dhe të kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në veri.

Kërkesa të ngjashme pati edhe nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG