Ndërlidhjet

SHBA-ja lavdëron Kosovën dhe Shqipërinë për gatishmërinë rreth strehimit të afganëve


Afganët në Aeroportin e Kabulit më 16 gusht, teksa tentojnë të largohen nga vendi, pasi talibanët hynë në Kabul më 15 gusht.
Afganët në Aeroportin e Kabulit më 16 gusht, teksa tentojnë të largohen nga vendi, pasi talibanët hynë në Kabul më 15 gusht.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët, që bashkëpunuan me forcat amerikane, teksa talibanët kanë marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

“Populli afgan meriton që të jetojë i sigurt dhe me dinjitet. Ne në komunitetin ndërkombëtar jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë ata”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Kësaj thirrje të DASH-it i janë bashkuar edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe shtete të Bashkimit Evropian.

Më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakt me autoritetet amerikane për strehimin e afganëve dhe shtuan se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

Ndërkaq, Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan ka shkruar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Shqipërisë që të strehojë afganët.

“Populli i Shqipërisë dhe njëherë i ka treguar botës se çfarë nënkupton Besa. Ju keni respektimin dhe falënderimin tonë”, thuhet në një postim në Twitter të këtij komiteti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha më 15 gusht se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA-së për strehimin e afganëve.

“Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka përgëzuar Kosovën, Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut për gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët, jeta e të cilëve rrezikohet nga talibanët.

“Ne duhet të fokusohemi në shpëtimin e jetës së qytetarëve në Afganistan. Teksa SHBA-ja po punon në evakuimin e atyre që rrezikohen nga talibanët, unë u jam mirënjohëse Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë ofruar strehimin e aleatëve afganë, posaçërisht të grave dhe liderëve të shoqërisë civile. Shpresoj që edhe të tjerë do ta ndjekin këtë shembull”, ka thënë ajo.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG