Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon që Rusia të ketë “zero” pronësi në NIS


Punimet në pusin e ri të NISit në Serbi, gusht 2020.
Punimet në pusin e ri të NISit në Serbi, gusht 2020.

Kushti i vetëm i Shteteve të Bashkuara për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) është që të mos ketë rrjedhë të parasë drejt Rusisë, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Moska ta udhëheqë NIS-in.

“E vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është qëndrimi me të cilin hyjmë në këtë bisedë. Ne tashmë e kemi bërë këtë gjë me kompani të tjera ruse në vende të tjera si, Holandë, Zvicër dhe Turqi”, tha O'Brien të dielën për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

Ai shtoi se SHBA-ja do të ndjekë rrugën drejt, siç tha, pronësinë konstruktive të NIS-it, nga e cila përfiton Serbia.

Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit "rrezik sekondar", do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i.

Serbia e pret qëndrimin e Rusisë

Serbia pret që bisedimet me Rusinë ta zgjidhin këtë çështje, pasi Uashingtoni dhe Beogradi ngritën çështjen e pronësisë ruse në NIS.

“Duhet të dimë saktësisht se cilat janë kushtet dhe pastaj do të mund të bisedojmë me palën ruse”, tha të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG