Ndërlidhjet

Biden dhe Netanyahu pa marrëveshje për një pauzë humanitare në Gazë


Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Tel Aviv, 18 tetor 2023.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Tel Aviv, 18 tetor 2023.

Presidenti amerikan, Joe Biden, nuk ka arritur një marrëveshje gjatë bisedës telefonike që zhvilloi më 6 nëntor me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me nevojën për një pauzë humanitare në luftën Izrael-Hamas.

Zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare i SHBA-së, John Kirby, tha se SHBA-ja “do të vazhdojë të avokojë për pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar të luftimeve”.

Numri i palestinezëve të vrarë në luftën mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, ka tejkaluar shifrën prej 10.000 personash, ka raportuar Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Sipas kësaj ministrie, mbi 4.100 viktima ishin fëmijë dhe 2.640 gra.

I pyetur nëse kjo shifër e viktimave do të bëjë që SHBA-ja të mendojë që të ndërpresë mbështetjen për Izraelin, Kirby tha, “mendoj se të gjithë ne duhet ta kujtojmë pse ata [Izraeli] po luftojnë” duke iu referuar sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Gjatë këtij sulmi në jug të Izraelit, Hamasi vrau mbi 1.400 persona dhe sulmi nxiti nisjen e luftës.

Kirby insistoi se “asnjë shtet” nuk do të toleronte një sulm të tillë “pa një përgjigje të shpejtë dhe agresive”. Megjithatë, ai tha se SHBA-ja ka zhvilluar bisedime “të sinqerta” me izraelitët lidhur me përpjekjet për të minimizuar numrin e viktimave në mesin e civilëve.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë e Hamasit për të qeverisur me Gazën dhe për të sulmuar Izraelin. Që nga 7 tetori, Rripi i Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme ajrore. Ky territor është rrethuar nga Izraeli dhe trupat tokësore po vazhdojnë operacionet e tyre brenda pjesës veriore të qytetit të Gazës, që sipas autoriteteve izraelite, është ndarë nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës.

Izraeli ka thënë se shumica e infrastrukturës së Hamasit gjendet në pjesën veriore të Gazës dhe ka urdhëruar banorët të zhvendosen në jug. Por, edhe në jug dhe në gjithë Rripin e Gazës, Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG