Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë hetim për parregullsitë në zgjedhjet në Shqipëri


Votimi në Shqipëri.
Votimi në Shqipëri.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Sorca në një deklaratë për mediat nga qyteti i Durrësit, i kanë bërë thirrje prokurorëve të Shqipërisë që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

“E di që janë raportuar disa incidente dhe tashmë është përgjegjësia e autoriteteve për të vazhduar hetimin. Siç e dini, ne i kemi bërë thirrje prokurorëve që ta ndjekin dhe të mund të hetojnë këto çështje deri në fund”, tha ambasadorja Kim.

Luigi Soreca, që përfaqëson zyrën ndërlidhëse të Bashkimit Evropiane në Shqipëri, ka përsëritur të njëjtat shqetësime.

“Votimi ka ecur mirë dhe pa probleme, me disa incidente, që do hetohen dhe në këto orë që kanë mbetur ftojmë qytetarët të votojnë”, tha ambasadori Luigi Soreca.

Qytetarët presin ndryshime pas zgjedhjeve në Shqipëri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Ambasadorët kanë kërkuar nga qytetarët dhe kryetarët e partive që të presin me durim rezultatin dhe të pranojnë vullnetin e popullit.

“Tani është radha e kandidatëve për deputetë dhe drejtuesve të presin rezultatet, dhe të presin gjykimin e popullit”, tha ambasadorja amerikane.

Ambasadorja Kim shtoi se ata janë shumë të frymëzuar me pjesëmarrjen e lartë të votuesve.

“Jemi shumë të frymëzuar, teksa kemi parë pjesëmarrje të lartë në votime. Kjo tregon që qytetarëve shqiptarë u intereson vendi i tyre”, tha Kim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë regjistruar disa incidente, siç është fotografimi i votave apo hapja me vonesë e disa qendrave të votimit, por deri më tani nuk është raportuar për incidente serioze.

Në Shqipëri sot po mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00, kanë votuar 38.42 për qind e votuesve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për kuvendin që nga viti 1991, me 46.76 për qind e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG