Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë bërë të ditur partneritetin global për të zvogëluar emetimet e metanit deri më 2030.
Komisionarja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan, Joe Biden, kanë bërë këtë njoftim të martën në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Zotimi global për metanin synon të kufizojë emetimet e metanit për 30 për qind, në krahasim me nivelet e vitit 2020.
Metani është një prej gazrave serrë më të fuqishëm dhe përgjegjës për një të tretën e ngrohjes aktuale nga aktivitetet njerëzore.
Më shumë se 100 shtete kanë nënshkruar këtë iniciativë, të propozuar fillimisht nga SHBA-ja dhe BE-ja në shtator.
Fokusi kryesor për të ndalur ngrohjen globale është te dioksidi i karbonit, që emetohet si rezultat i aktiviteteve njerëzore.
Mirëpo metani ka fituar vëmendje po ashtu, si rrugë për të blerë kohë në luftimin e ndryshimeve klimatike.
“Nuk mund të presim vitin 2050”, ka thënë shefja e BE-së, Ursula von der Leyen në samit.
“Na duhet t’i zvogëlojmë shpejt emetimet”.
Presidenti amerikan ka thënë se zotimi për metanin mbulon shtetet që emetojnë gjysmën e gjithë metanit në botë, dhe të cilat përbëjnë 70 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.